Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e Shoqatës së Bashkive

Zgjedhjet vendore të 30 Qershorit 2019 janë të ligjshme. Gjykata Kushtetuese shpalli vendimin me anë të të cilit rrëzoi kërkesën e Shoqatës së Bashkive, e cila kërkonte që zgjedhjet lokale të shpalleshin antikushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike çështjen me palë kërkuese Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, me objekt: Konstatimin antikushtetues të procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 Qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore. Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi palët ndërgjygjëse në gjykimin kushtetues, mori në shqyrtim opinionin amicus curiae të Komisionit të Venecias. Vendosi: Rrëzimin e kërkesës”.

Gjykata nuk i jep argumentet ligjore mbi të cilat ka vendosur, por në vendimin e shkurtuar i referohet vetëm opinionit të Komisionit të Venecias, i cili më 14 Tetor i dha një shuplakë bojkotit të zgjedhjeve nga opozita.

Venecia vlerësoi se Gjykata Kushtetuese s’ka kompetence për të shqyrtuar vlefshmërinë e procesit zgjedhor dhe sa i përket dekretit të presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve konstatoi se përgjigjen për të e ka dhënë Kolegji Zgjedhor, i cili e ka konsideruar atë të paligjshëm.

Duke iu referuar pikërisht këtij opinioni në seancën plenare të Gjykatës Kushtetuese që u zhvillua të martën e shkuar përfaqësuesit ligjorë të Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave kërkuan rrëzimin e padisë së Shoqatës së Bashkive, duke theksuar faktin se Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për të shqyrtuar ligjshmërinë e zgjedhjeve. Por përfaqësuesit e Shoqatës së Bashkive theksuan në atë seancë se opinion i Venecias nuk është detyrues për Gjykatën.

Tashmë ky vendim bën të detyrueshme për kreun e shtetit, Ilir Meta, që të dekretojë datën e zgjedhjeve të reja për 6 bashki të cilat kanë mbetur pa kryetarë dhe konkretisht në Shkodër, Durrës, Lushnje, Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë.

Tv Klan