Erdogan: Xhamia e Namazgjasë, dhuratë për popullin shqiptar
Në deklaratën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan u ndal tek Xhamisë së Namazgjasë, për të cilën tha se është dhuratë e popullit turk për ‘motrat e vëllezërit e tyre myslimanë’ në Shqipëri. Lexo më shumë
Shqipëri-Turqi firmosin 3 marrëveshje bashkëpunimi
-Deklarata e synimit mbi bashkëpunimin në fushën e sigurimeve në bujqësi të mbështetur nga shteti midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë të Republikës së Turqisë.
-Protokoll ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Lartë të Arsimit të Republikës së Turqisë për Hapjen e Degës, Njësisë Akademike, Programeve të Studimit nga Universiteti Teknik i Stambollit në Shqipëri.
-Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë për Media dhe Informim të Republikës së Shqipërisë dhe Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës së Republikës së Turqisë për bashkëpunim në fushën e marrëdhënieve me publikun dhe komunikimin.
Emine Erdogan takohet me Linda Ramën
Gjatë takimit të mbajtur me dyer të mbyllura, Linda Rama falënderoi Zonjën e Parë Erdogan për ftesën e saj në ekspozitën dhe shfaqjen e modës “Thesaret e nusërisë: Një udhëtim në pajët osmane dhe anadollake”.
Në takim u diskutua për vlerat e përbashkëta kulturore mes Shqipërisë dhe Turqisë.
Foton sëbashku, e ka postuar në “X” Zonja e Parë e Turqisë Emine Erdogan.
Erdogan e Rama me deklaratë, gazetarja: Kreu i KMSH nuk merr pjesë në përurimin e xhamisë
Gazetarja e Tv Klan Elja Zotka ka dhënë disa detaje sa i takon vizitës zyrtare në vendin tonë të Presidentit turk Recep Tayyip Erdogan. Mësohet se Erdogan dhe Rama do dalin me një deklaratë të përbashkët dhe jo konferencë siç ishte parashikuar. Lexo më shumë
Pamjet nga takimi Rama-Erdogan
Rama pret me buzëqeshje Erdogan, nis takimi në Kryeministri
Kryeministri Edi Rama ka pritur Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan. Ata do të mbajnë një takim në Kryeministri.
Mbyllet takimi Erdogan-Begaj
Përfundon takimi i Presidentit Recep Tayyip Erdogan me homologun e tij Bajram Begaj. Tanimë, kreu i shtetit turk do të takohet me kryeministrin Edi Rama.
Begaj pret Erdogan me ceremoni zyrtare
Ka mbërritur në Presidencë, kreu i shtetit turk Recep Tayyip Erdogan bashkë me delegacionin. E ka pritur me ceremoni zyrtare homologu i tij Presidenti i vendit Bajram Begaj.
Erdogan dhe delegacioni i tij nisen drejt Presidencës
Presidenti turk Erdogan vizitë zyrtare në Tiranë, inauguron Xhaminë e Namazgjasë me Kryeministrin Rama (Të gjitha zhvillimet)
Këtë të Enjte në orën 11:00 pritet që Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan të mbërrijë në Tiranë. Kjo vizitë, që parashikohet disa orëshe, pason atë të 17 Janarit 2022.
Dy vite më parë, Erdogan pa nga afër lagjen me banesat që u ndërtuan në Laç falë mbështetjes së qeverisë turke. Ndërtimi i 522 apartamenteve ishte kontribut i shtetit turk pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit 2019 në vend. Por jo vetëm kaq, Turqia i erdhi në ndihmë Shqipërisë edhe me baza të tjera materiale dhe 350 mijë euro asokohe.
Edhe gjatë pandemisë përpos ndihmave mjekësore, ndërtoi një spital në Fier. Edhe sot, kreu i shtetit turk do të marrë pjesë në inaugurimin e “Xhamisë së Namazgjasë” në kryeqytet, e cila është ndërtuar me po mbështetjen e tij.
Mbase prej ngjashmërive kulturore, por marrëdhëniet shqiptaro-turke vetëm sa janë përmirësuar vitet e fundit. Edhe raporti politik Rama-Erdogan duket tejet i fortë.
Marrëveshjet e nënshkruara gjatë vizitës së kreut të qeverisë Edi Rama në Turqi më 6 janar 2021, ishin një pikënisje mjaft e mirë. Në Shkurt të këtij viti, Rama i shoqëruar nga kabineti i tij qeveritar fluturoi drejt Ankarasë. Pas pritjes me ceremoni madhështore në Pallatin Presidencial, u nënshkruan 6 marrëveshje mes shteteve.
Rama në fjalën e tij tha se është tejet mirënjohës ndaj Turqisë për ndihmën në 3 raste. Gjatë tërmetit, pandemisë së Covid-19 dhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
/tvklan.al