Në Xhamisë së Namazgjasë po bëhen përgatitjet e fundit që të jetë gati për inaugurimin e së enjtes, në të cilin do të marrë pjesë Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan.
Hapja e Xhamisë së Namazgjasë, që konsiderohet si më e madhja në Ballkan, sipas ish-Myftiut të Tiranës, Ylli Gurra, është ngjarje e rëndësishme. Kapaciteti i saj është për rreth 8 mijë besimtarë.
“Domosdoshmëri thuajse një shekullore, jo thjesht ndërtimi në pikëpamjen arkitekturore, por thjesht në plotësimin e një domosdoshmërie religjizore”.
Lidhur me lajmin se Xhamia e Namazgjasë do të drejtohet kleriku turk Enes Bastur, Gurra jep këtë përgjigje.
“Personi është një prej hoxhallarëve i cili në aspektin e librit të “Kurani-it”, para disa muajsh është shpallur i pari në Turqi.”
Ndërsa Komuniteti Mysliman i Shqipërisë me anë të një postimi thekson se ky institucion do të përfaqësohet nga Myftiu i Tiranës, Gazment Teqja, i cili do të jetë gjithashtu edhe kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, mes KMSH dhe palës turke, që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë më tej.
Punimet për objektin e ri të kultit me një sipërfaqe prej 6 mijë metra katrorë nisën në vitin 2015, një investim i Komunitetit Mysliman të Turqisë në vlerën e 30 milionë eurove.
Inaugurimi do të jetë në orën 16:50, por përpara këtij eventi, presidenti Erdogan që mbërrin në Rinas në orën 11:00, do të pritet nga presidenti Begaj dhe kryeministri Rama.
Me kryeministrin Rama, veç takimit kokë më kokë dhe delegacioneve, do të nënshkruajë edhe 3 marrëveshje për arsimin, bujqësinë dhe me agjencinë për median dhe informimin.
Më pas Rama e Erdogan do të dalin në një deklaratë të përbashkët.
Kreu i shtetit turk pas disa orë qëndrim në Tiranë do të udhëtojë drejt Beogradit, ku do të pritet nga Presidenti serb Aleksandër Vuçiç.
Tv Klan