Për shkak të kushteve atmosferike që kanë përfshirë Shqipërinë, në disa zona ka mungesë të energjisë elektrike.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton se si pasojë e motit ka pasur probleme të furnizimit me energji në fiderat që furnizojnë me energji, kryesisht zona rurale të thella malore.

Balluku bën të ditur se në të gjithë vendin aktualisht janë 42 fidera me probleme, ndërsa OSSH ka të angazhuar në terren 1500 punonjës me 196 mjete.

Gjithashtu zëvendëskryeminstrja thekson se në linjat e transmetimit nuk raportohen problematika, ndërkohë që në kaskadën e Drinit situata paraqitet me prurje normale.

Për shkak të erës së fortë dhe reshjeve të shiut, Aviacioni Civil njofton se do të ketë vonesa në linjat ajrore, por jo anulim të fluturimeve nga Rinasi.

Për shkak të motit të keq, Drejtoria e Përgjithshme Detare njoftoi se tragetet e linjës Durrës-Bari-Durrës nuk do të operojnë gjatë kësaj të diele.

Tv Klan