Prokurori i Posaçëm Jack Smith mendon të japë dorëheqjen përpara se presidenti i sapozgjedhur Donald Trump të marrë detyrën.

Prokurori Smith hetoi dy çështje kundër Trump, njërën mbi dokumentet sekrete të cilat Trump i mori në Mar-a-Lago pasi përfundoi mandatin dhe një tjetër rreth përpjekjeve të tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.

Një gjykatës federal në Florida hodhi poshtë rastin për dokumentet në muajin Korrik. Departamenti i Drejtësisë tani po shqyrton se si ta mbyllë çështjen e Smith që lidhet me zgjedhjet. Trump, i cili i ka mohuar akuzat për të dyja rastet, deklaroi muajin e kaluar se ai do ta shkarkonte prokurorin Smith brenda dy sekondash pasi të fillonte mandatin.

Si president, Trump përfiton nga mbrojtjet kundër ndjekjes penale. Politika e Departamentit të Drejtësisë thotë se një president në detyrë nuk mund të ndiqet penalisht për krime dhe një vendim nga Gjykata e Lartë këtë verë zbuloi se Trump gëzonte imunitet “absolut” nga ndjekja penale për veprimet e ndërmarra brenda kompetencave të tij themelore kushtetuese si president. 

Përpara largimit të tij, Smith do të duhet të nxjerrë një raport përfundimtar që detajon hetimet dhe konkluzionet e nxjerra prej tyre.

Klan News