Prokuroria e Posaçme me seli në Hagë, e cila trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë, e cilësoi jo kushtetues propozimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për amendamentimin e Kushtetutës së Kosovës për zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara, siç njihet Gjykata e Posaçme.
Prokuroria tha se veprimet e presidentit Thaçi, synojnë zhbërjen apo zhvleftësimin e kanë për qëllim kryesor t’i zhbëjnë ose bëjnë të pavlefshme veprimet e Prokurorisë së Specializuar.’’
Presidenti Thaçi më 24 gusht kërkoi nga parlamenti i Kosovës që të amendamentojë nenin 162 të Kushtetutës në bazë të të cilit është themeluar Gjykata e Posaçme, në gusht të vitit 2015.
Në propozimin e presidentit Thaçi dërguar kryesisë së parlamentit kërkohet ndryshimi i pikës 13 të këtij neni të Kushtetutës në të cilin thuhet se mandati i gjykatës “do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare”. Ai kërkon që të përcaktohet se mandati “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me qeverinë e Republikës së Kosovës”.
Propozimi i tij u dërgua në Gjykatën e Posaçme nga kryetarja e parlamentit Vjosa Osmani dhe më pas Dhoma e Posaçme e Gjykatës Kushtetuese në Hagë, kërkoi komentet e palëve.
Në komentet e presidentit Thaçi, të dërguara më 16 tetor, thuhet mes tjerash se paragrafët 13 dhe 14 të nenit 162 të Kushtetutës kanë krijuar paqartësi rreth mandatit të Gjykatës së Posaçme.
“Sipas formulimeve të paragrafëve 13 dhe 14 të Nenit 162 të Kushtetutës, në opinionin kosovar është shpërfaqur mendimi dhe përhapur bindja që mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të zgjasë në një periudhë më së shumti pesëvjeçare (5) nga koha e aprovimit të amandamentimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo ka ngjallur jo rrallëherë reagime të shumta tek akterë të ndryshëm”, thuhet në sqarimet e zyrës së presidentit Thaçi.
Por, Prokuroria e Posaçme, thekson në opinionin e saj se “neni 162 i kushtetutës në formën e tij aktuale, përshkruan në mënyrë të përshtatshme mandatin e Dhomave të Specializuara. Ndryshimet e propozuara synojnë të Ndryshimet e Propozuara synojnë të rivendosin ose riformulojnë atë mandat. Është e qartë nga deklaratat publike të z. Thaçi se qëllimi kryesor i ndryshimeve të propozuara është përpjekja për të përfunduar, ose ndryshe për të zhvleftësuar veprimet e Dhomave të Specializuara në shkelje të detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës dhe në kundërshtim me të drejtat dhe interesat e palëve dhe pjesëmarrësve në procedurat në vijim. Si të tilla, ndryshimet e propozuara zvogëlojnë të drejtat dhe liritë e garantuara nga Kapitulli i II-të i Kushtetutës dhe janë antikushtetuese”, thuhet në opinionin e prokurorisë.
Ajo thekson mes tjerash se “fakti që ndryshimet janë propozuar nga një resident i cili është subjekt i një akuze të paraqitur nga Prokuroria e Specializuar në lidhje me krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, kërkon që ato duhet të vlerësohen me kujdes të veçantë. Z. Thaçi nuk është një palë e pa interesuar dhe ka një arsye të mirë të besohet se ndryshimet e propozuara janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të dëmtuar gjykatën”.
Më 24 qershor prokuroria publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Publikimi nxiti reagime në shkallë të gjerë në Kosovë. Organizata e Veteranëve të Luftës mbajti protesta dhe më pas kërkoi edhe ndryshimin e ligjit për Gjykatën e Posaçme dhe për t’i siguruar asaj një karakter gjithëpërfshirës duke ndjekur edhe krimet e kryera nga forcat serbe. Sipas kësja organizate mandati i Gjykatës ka përfunduar në muajin gusht të këtij viti.
Ekspertët e drejtësisë ndërkaq thanë se pohimet e tilla sikurse edhe propozimet e presidentit për ndryshime kushtetuese janë të panevojshme. Njohësi i çështjeve të drejtësisë, Ehat Miftaraj, njëherësh pjesëmarrës në hartimin e ligjit për Gjykatën e Posaçme, i tha Zërit të Amerikës në muajin gusht se “mandati i Gjykatës Speciale do të vazhdojë deri në një njoftim të radhës nga Këshilli i BE-së lidhur me përfundimin e mandatit të kësaj gjykate dhe kjo bëhet në konsultim me Kuvendin dhe qeverinë e Kosovës. Amendamenti kushtetues që është në fuqi nuk i jep mandat, nuk i jep të drejtë Kuvendit apo qeverisë qoftë për të vazhduar mandatin apo për të ndërmarrë ndonjë masë tjetër që ndërlidhet me pengimin e punës së gjykatës”, tha ai.
Ideja për themelimin e Gjykatës pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.
Hetimet, sikurse edhe ngritja e gjykatës dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.
Më 22 dhjetor të vitit 2017, një grup deputetësh hodhi nismën për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme, duke sfiduar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj kryesor që paralajmëruan për pasoja të rënda nëse ndodhë shfuqizimi i saj.
Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019, ndërsa më 24 shtator Prokuroria e Posaçme arrestoi Sali Mustafën, ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën akuzat “ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme”, në pranverën e vitit 1999./VOA