Organi i akuzës nis verifikimet pas akuzave të PD
Prokuroria e Përgjithshme kërkon zyrtarisht të administrojë gjurmët e gishtave të kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj, pas denoncimeve publike të Partisë Demokratike se ai është dënuar me 3 vite burg për rrahje në Greqi.
Pas 5 ditësh, organi i akuzës do të kërkojë që Ismailaj të paraqitet në laboratorin e Kriminalistikës, për depozitimin e gjurmëve të gishtërinjve, për të bërë më pas krahasimin me përgjigjet që do të vijnë nga autoritetet greke, ku pritet të dërgohen edhe letër-porosi.
Në rast se kryebashkiaku refuzon, ai do të shoqërohet forcërisht. Po kështu, Prokuroria e Përgjithshme i është drejtuar me një shkresë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku i kërkon t’i vërë dispozicion formularin e vetëdeklarimit të kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës.
Sipas Partisë Demokratike, Ismaili ka fshehur në formularin e dekriminalizimit dënimin në Greqi për plagosje. Selia blu pretendon se zyrtari i lartë është dënuar në mungesë nga drejtësia greke më datë 25 Shkurt të vitit 2000.
Sipas dokumentit të bërë publik, Ismailaj rezulton i dënuar për kryerjen e veprimeve të dhunshme, por nuk e ka vuajtur dënimin, pasi sipas Partisë Demokratike, nuk është gjetur nga autoritetet greke.
Qerimaj ka mohuar akuzat e Partisë Demokratike. Në një status në rrjetin social në Facebook ai ka publikuar pagesat që ka përfituar kur punonte si mësues në këtë periudhë.
Tv Klan