Presidenti i Kenias, William Ruto, ka deklaruar se do të tëheqë projektligjin që përmban rritje të taksave pas tubimeve vdekjeprurëse, ku protestuesit i vunë flakën parlamentit ditën e djeshme. Presidenti Ruto tha se nuk do ta nënshkruajë ligjin për taksa të reja.
Ndërkohë, Presidenti Ruto u shpreh se do të zhvillojë dialog me të rinjtë, të cilët drejtuan protestat më të mëdha me të cilat u përball vendi qëkur ai u zgjodh në vitin 2022.
“Kam dëgjuar popullin e Kenias, të cilët kanë deklaruar me zë të lartë se nuk duan të kenë të bëjnë me këtë projektligj finanaciar të 2024-ës. Për këtë arsye, unë nuk do ta nënshkruaj projektligjin e financave të vitit 2024. Populli ka folur vetë”, tha ai në një fjalim televiziv.
Projektligji u miratua nga parlamenti të martën, pavarësisht nga demonstratat mbarëkombëtare kundër tij. Protestuesit hynë në parlament dhe i vunë flakën pjesëve të ndërtesës. Sipas Komisionit Kombëtar të Kenias për të drejtat e njeriut, të paktën 22 persona u vranë në protestat e së martës.
Projektligji origjinal kishte propozuar taksa mbi bukën, vajin e gatimit, shërbimet celulare, spitalet e specializuara dhe automjetet, të cilat kenianët thanë se do të përkeqësonin krizën e kostos së jetesës./tvklan.al