Një vrasës i dyshuar serial pranoi vrasjen e 42 grave gjatë 2 viteve të fundit, tha policia në Kenia. Rasti në fjalë ka tronditur vendin dhe ka çuar në thirrje për rritjen e masave për të luftuar dhunën me bazë gjinore në këtë vend.
Autoritetet thanë se 33-vjeçari Collins Jumaisi Khalusha “joshi, vrau dhe zhduku trupat e 42 grave”, prej të cilave deri më tani janë zbuluar vetëm 9.
Ai u arrestua Soweto në lindje të kryeqytetit Nairobi, orët e para të së hënës, jashtë një lokali ku kishte qenë për të parë finalen e Euro 2024.
“Gjatë marrjes në pyetje, i dyshuari pranoi se kishte joshur, vrarë e zhdukur trupat e 42 grave në një vend depozitimi, të gjitha të vrara mes 2022 dhe 11 Korrikut 2024”, thanë autoritetet keniane.
Në një deklaratë për mediat të dielën përpara arrestimit të të dyshuarit, kreu i policisë Douglas Kanja tha se trupat “ishin copëtuar rëndë, ishin në faza të ndryshme dekompozimi dhe të futura në qese”.
“Kemi të bëjmë me një vrasës serial, një vrasës serial psikopatik, që nuk ka respekt për jetën”, thanë hetuesit.
Po sipas autoriteteve në Kenia, viktima e parë e 33-vjeçarit ishte gruaja e tij. të cilën e mbyti dhe më pas e copëtoi trupin dhe e hodhi në një vend depozitim.
Nga marrja në pyetje e të dyshuarit, hetuesit besojnë se të gjitha gratë janë vrarë në të njëjtën mënyrë./tvklan.al