Socialistët kërkuan që të anulohen të gjitha gjobat e paekzekutuara të vendosura nga data 1 Janar 2015 deri në 30 Nëntor 2024 në zonat rurale që janë vendosur nga IMT, AKU apo ISHSH. Madje ata kërkuan që ta kalonin me procedurë të përshpejtuar në parlament, gjë që hasi kundërshtimin e opozitës. Dhe duket se kjo çështje është kthyer në një “mollë sherri” mes dy palëve.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar ndryshime në projektligj duke u shprehur se masat që kërkohen të merren nga PS-ja janë të pamjaftueshme.
Grupi Parlamentar i PD ka propozuar që:
1-Të anulohen të gjitha masat administrative të vendosura sipas nenit 52, pika 1, shkronja “e”, të ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, në pjesën që parashikon dënimin me gjobë për kryerjen e punimeve pa leje për plotësimin e nevojave për strehim, që është shfuqizuar si papajtueshme me Kushtetutën, me vendimin nr. 15/2022 të Gjykatës Kushtetuese, që nga data e hyrjes së ligjit në fuqi e deri në momentin e shfuqizimit të tij nga Gjykata Kushtetuese.
2-Të anulohen të gjitha detyrimet e prapambetura për energjinë elektrike dhe ujin deri në datën 30 Nëntor 2024 për shtresat në nevojë, duke përfshirë pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar.
3-Të anulohen të gjitha masat administrative së bashku me kamatëvonesat të vendosura deri në datën 30 Nëntor 2024 nga Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
4-Të anulohen të gjitha masat administrative së bashku kamatëvonesat të vendosura deri në datën 30 Nëntor 2024 për mosrespektimin e afateve në procedurat tatimore dhe/ose mospagimin e taksës së pronës.
Gjithashtu, Grupi Parlamentar i PD argumenton që në kuadër të parimit të barazisë përpara ligjit të gjithë personave fizikë dhe juridikë që do të ishin subjekt përfitues sipas ligjit nëse nuk do të kishin kryer ekzekutimin e masave administrative përpara hyrjes në fuqi të tij, në bazë të parimit iu kthehen shumat e paguara dhe kthimi i shumave të bëhet nga institucionet e ngarkuara me zbatimin e këtij ligji brenda datës 31 Janar 2025./tvklan.al