Dhjetëra-mijëra izraelitë janë mbledhur kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për të kërkuar një marrëveshje pengjesh në Gaza. Tubimet në Tel Aviv dhe qytete të tjera erdhën pasi Forcat e Mbrojtjes izraelite gjetën trupin e pengut, Elad Katzir. Me pankarta në duar, protestuesit brohorisnin herë pas here “Zgjedhje tani” dhe “Elad, na vjen keq”.
Protestuesve antiqeveritar iu bashkuan familjet e pengjeve të mbajtura në Gaza. Demonstruesit shprehën zhgënjimin e tyre me paaftësinë e qeverisë për të liruar rreth 130 pengje që mbeten në Gaza, të mbajtura nga Hamasi dhe aleatët e tij.
Më herët të shtunën, forcat izraelite gjetën trupin e Elad Katzir, i cili u kap dhe u dërgua në Gaza gjatë sulmeve të Hamasit në Izraelin jugor më 7 Tetor. Ai u shfaq i gjallë në një video të publikuar në Janar.
“Elad Katzir arriti të mbijetonte tre muaj në robëri. Ai duhet të ishte me ne sot. Ai mund të ishte me ne sot,” i tha protestuesi Noam Peri një gazetari të BBC.
Organizatorët thanë se protesta në Tel Aviv kishte tërhequr 100,000 njerëz. Demonstratat ishin të fundit nga një seri protestash të mëdha antiqeveritare që kërkonin që kryeministri Netanyahu të largohej, mes zemërimit që ai nuk ka arritur të lirojë pengjet e mbetura. Por nuk zgjati shumë pasi më vonë, policia shpërndau me forcë turmë në Tel Aviv./tvklan.al