Propozimi i socialistëve për projektligjin për anullimin e pagesës së gjobave të dhëna në vite për ndërtimet pa leje në zonat rurale, por të pa ekzekutuara deri tani nga komisariati për mbrojtjen e territorit ka shkaktur kaos në Kuvend.
Kryeparlamentarja Spiropali tha se ky propozim ishte depozituar nga 40 deputetë të Partisë Socialiste ku kërkohej edhe miratimi me procedurë të përshpejtuar.
“Nga 35 deputetë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste është kërkuar shqyrtimi me procedurë të përshpejtuar të projektligjit për anullimin e gjobave,” tha Elisa Spiropali.
Ligjvënësit demokratë deklaruan se nuk ishin në dijeni të këtij propozimi ndaj kërkuan kohë që ta lexonin projekligjin.
Spiropali i ndërpreu fjalën fillimisht demokratit Nallbati e më pas demokratët bllokuan foltoren që u rrethua për pak minuta nga Garda e Republikës.
“Këto gjoba i vendosi Sali Berisha dhe deputetët e opozitës apo i vendosi Edi Rama dhe ju të tjerët në secilën zonë për të terrorizuar qytetarët. Ne kemi qenë kundër vendosjes së gjobave, vazhdojmë të jemi kundër. Ato gjoba janë tërësisht të paligjshme janë presion kriminal i strukturave të udhëhequra prej jush dhe për pasojë skemi asnjë shqetësim,” tha Gazment Bardhi.
“Të gjithë edhe kolegët e opozitës në shumë raste kanë ngritur një shqetësim në lidhje me disa raste të penalizimit të padrejtë për ndërtime që kanë të bëjën me riparime çatie, me një mur mbajtës të një çatie, të një avllie.” tha Taulant Balla.
“A ishit ju që ju thoshit shqiptarëve që koha e pandërtueshmërisë ka marrë fund, që burgosët 38000 shqiptarë se rregulluan një dritare, një paravaz apo një kotec pulash. Pyetja është shumë e thjeshtë të nderuar kolegë. Ky parlament a e ka të drejtën me ligj që t’i anullojë gjobat? Po e ka. Tani pyetja është shumë e thjeshtë. A jeni dakord ju që ky parlament me ligj të anulloje gjobat e paekzekutura për vite të vendosura nga sektorati kombëtar i mbrojtjes së territorit? Pyetja është shumë e thjeshtë. Ne si maxhorancë kemi numrat dhe do t’i anullojmë këto gjoba. Pa diskutim!” tha Flamur Noka.
Klan News