Gjykata e Posaçme nuk ka ndryshuar masën e sigurisë për 3 oficerët e policisë të arrestuar për trafik droge drejt Greqisë. Ata kanë ndihmuar grupin kriminal që vepronte në Sarandë për të trafikuar lëndë narkotike.

Të arrestuarit janë: Shefi i Krimeve në Himarë, Shkëlzen Ruska, Shefi i Krimeve në Komisariatin e Lushnjës, Ervis Alisinanaj dhe ish-efektivin Erdit Hazizaj.

Ndërkohë, ⁠shefi i Policisë Kufitare në Sarandë, Elvis Dervishi, u shpall në kërkim si pjesa tjetër e të hetuarve që sipas SPAK kanë rezultuar jashtë shtetit.

Sipas SPAK, grupi kriminal drejtohej nga vëllai i Edmond Papës, i cili u vra në Dhjetor të vitit 2020. Kristo Qirici bashkëpunonte me oficerët e policisë për trafikimin e lëndëve narkotike nga Saranda.

Nga hetimet ka rezultuar se në 7 Mars të vitit 2020, nga Qafë Bota, u trafikuan 1.1 tonë kanabis i papërpunuar, 4 tonë kanabis i përpunuar me vlerë rreth 1.7 milionë Euro.

Sasia e drogës iu sekuestrua më pas dy shtetasve italianë në Greqi. Gjatë operacionit të fundjavës, SPAK goditi edhe një grup tjetër që vepronte mes Tepelenës dhe Gjirokastrës që merrej me kultivimin e bimëve narkotike. Pjesë e këtij grupi ishte edhe punonjësi i policisë Shkëlzen Ruska.

Hetimet u kryen në bashkëpunim me autoritetet greke dhe ato franceze dhe janë të bazuara në komunikimet e aplikacionit Sky.

Policia e Shtetit njoftoi pezullimin e tre efektivëve që ishin në detyrë, ndërkohë një pjesë e personave të dyshuar sipas SPAK, nuk janë në Shqipëri. 

Klan News