Demokratët zgjodhën përmes procesit të primareve në 12 qarqe, kandidatët që do të garojnë për deputetë në listën e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 Majit. Përmes votimit një anëtar një votë, demokratët votuan mes 288 garuesve në të gjithë vendin.

Në disa prej qyteteve tashmë ka përfunduar numërimi.

Kështu në Korçë më i votuari me 1219 vota është deputeti Bledion Nallbati e më pas renditen Edmond Spaho, Ledina Alolli e Andrea Mano.

Në Gjirokastër më shumë vota ka marrë Alma Buci Kore. Deputetja Ina Zhupa është renditur e para në Qarkun e Vlorës në primaret e PD me 765 vota. Shumicën e votave ajo e ka marrë në bashkitë Sarandë, Konispol, Delvin dhe Finiq, duke thyer dominimin e Atird Hoxhës, ish-kreut të PD Vlorë, në tre bashkitë e rrethit Vlorë.

Në Fier ka përfunduar në orët e para të mëngjesit numërimi dhe më i votuari ka dalë Eduart Sharka, ndërsa pas tij renditet deputeti Luan Baçi, ndjekur nga Saimir Koreshi.

Në Lezhë, më i votuari është Gjin Gjoni, i ndjekur nga Aleksandër Lala dhe pas tyre vjen deputetja Elda Hoti.

Në qytetin e Durrësit i pari renditet Igli Cara, ndjekur nga Manjola Luku.

Në Elbasan kryeson Dashnor Sula, ndjekur nga Blendi Himçi dhe Ilirjan Alliu. i shtati renditet deputeti Lefter Geshtenja.

Pjesë e primareve u bë thuajse i gjithë grupi parlamentar i Partisë Demokratike, me përjashtim të 5 deputetëve. Por pavarësisht votës së anëtarësisë, vendimin final se kush do jetë kandidat për deputet do ta vendosë kryesia e kësaj force politike.

Në përzgjedhjen e ekipit nga ana e kryesisë në mbledhjen e 12 marsit do të merret parasysh edhe puna e secilit kandidat me diasporën, si dhe kontributi në betejën kundër qeverisë.

Nga procesi i primareve u përjashtuan 19 zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike, përfshi edhe kryetarin e saj Sali Berisha, të cilët do të jenë kandidatë në pjesën e sigurtë të listës së deputetëve, përfshi edhe 7 aleatët e opozitës që do të garojnë në koalicion me Partinë Demokratike.

Klan News