Dy partitë e mëdha në diskutim me komisionerin shtetëror të zgjedhjeve kanë arritur dakortësinë për të bërë ndryshimet e nevojshme në kodin zgjedhor për të dhënë garanci që vota e emigrantëve të numërohet brenda afateve ligjore.

Dokumenti me amendimet e propozuara nga KQZ ka mbërritur në Kuvend dhe pritet të miratohet brenda javës së ardhshme duke hyrë në fuqi në fillim të muajit Shkurt.

Damian Gjiknuri në një intervistë për Tv Klan jep detajet e këtij dokumenti të dakortësuar.

“Kemi rënë dakord që të afrojmë me 10 ditë afatin për regjistrimin e kandidatëve. Kjo do të mundësojë më shumë kohë siç ka kërkuar KQZ për printimin më të shpejtë të fletëve të votimit dhe dërgimin e partisë së parë drejt votuesve në diasporë. Marrin përsipër buxheti i shtetit të gjithë shpenzimet për dërgimin dhe ardhjen e zarfit me votën e diasporës. Fusin përbërjen politike edhe tek procesi i numërimit të votës së diasporë”, u shpreh Gjiknuri.

Por palet kanë rënë dakort jo vetëm për ndryshime në ligjin elektoral, por dhe një akt normativ nga Këshilli i Ministrave që do të lejojnë të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë të votojnë pavarësisht se nuk kanë një dokument të vlefshëm identifikimi.

“Për votuesit që janë jashtë vendit ato mund të regjistrohen dhe të votojnë nëpërmjet këtij sistemi edhe me dokumenta të skaduara”, tha Gjiknuri.

Por Gjiknuri e sheh si një propozim aspak realist, atë të bërë nga Partia Demokratike për të lejuar shqiptarët që jetojnë në diasporë të votojnë me dokumenta biometrike, të lëshuara nga shteti ku ata jetojnë.

“Kjo çështje është diskutuar mes nesh dhe u morr vendimi i përbashkët që ne do t’i qëndrojmë atij parimi që ka kodi, letërnjoftim dhe pasaportë dhe ne nuk mund të ndryshojmë rregullin e regjistrimit sidomos tani që kanë mbetur edhe 4 apo 5 javë nga përfundimi i këtij procesi. Së dyti nga ana teknike KQZ, PER-in e ka ndërtuar mbi bazë të të dhënave biometrike që ekzistojnë në regjistrin e gjendjes civile, Kjo mund të hapë shtegun për abuzime nga më të ndryshme dhe unë nuk dua që palët humbëse si gjithmonë të gjejë argument për të vënë në pikëpyetje integritetin e këtij procesi”, thekson Gjiknuri.

Sipas Sekretarit Zgjedhor të Partisë Socialiste numri më realist i shqiptarëve që do të ushtrojnë të drejtën e votës nisur dhe nga sondazhet e tyre të brendshme nuk do t’i kalojë 200 mijë votues.

Por Gjiknuri nuk pranon të flasë me shifra me pritshmëritë që kanë socialistët për ata votues që do t’i mbështesin për një mandat të katërt.

Tv Klan