E kështu César Nebrera mbush filxhanin e kafesë që ka gatuar në një sobë në bagazhin e makinës së tij. Mjeti i tij i gjelbër tip “Kia” qëndron nën hijen e një peme, pak larg rrugës kryesore pranë Ibizës.
“Më mungojnë gjërat bazike që e bëjnë jetesën e rehatshme, si për shembull të jesh në gjendje të qëndrosh në këmbë në shtëpi, të gatuash siç duhet apo edhe të hapësh një sirtar për të nxjerrë çorapet. Këto janë gjërat që të mungojnë më së shumti kur jeton në një makinë”, tha ai për BBC.
Kia ka qenë shtëpia e tij përgjatë 3 viteve të fundit. Ai punon si shef kuzhine, por me çmimin e qirave në ishullin spanjoll të Ibizës, ai nuk mund ta përballojë dot të jetojë në një apartament.
“Në Ibiza akomodimi është shumë i shtrenjtë dhe po bëhet gjithnjë e shumë më shumë i shtrenjtë. Kështu që të jetosh kështu është një alternativë. Është më pak komode, por më lejon të vazhdoj të jetoj në ishull”, thotë ai.
Ibiza është një nga 4 ishujt mesdhetarë që formojnë Ishujt Balearë të Spanjës. Tre të tjerët janë Majorca, Menorca dhe Formentera. Shumë profesionistë të tjerë në Ibiza po jetojnë njësoj si pasojë e kostove të larta të qirasë.
Një vit më parë një përfaqësues i policisë tha se “tre ose katër” prej oficerëve të saj jetonin në mjetet e tyre në ishull. Të tjerë vendas kanë hyrë në tenda ose në akomodime jashtëzakonisht bazike të cilat edhe këto i bashkëndajnë.
Daniel Granda, një zëdhënës i një sindikate që përfaqëson qiramarrësit vendas tha se situata të tilla po bëhen të zakonshme.
“Shumë njerëz përfundojnë në kushte të mjera dhe po fillojmë të shikojmë barake rreth ishullit. Duke mos pasur mundësinë e të gjetur akomodim që të na lejojë jetesën normale, ne që rrimë në ishull na duket sikur po na shtyjnë të largohemi”, thotë ai.
Shumë spanjollë janë penguar për të blerë prona si pasojë e normave të larta të interesit, por edhe krizave të fundit ekonomike. Kërkesa për strehim me qira ka rritur kostot e qirave. Çmimet janë rritur me një mesatare prej 18% vetëm gjatë vitit të kaluar.
Por duhet kujtuar edhe statusi i Ibizës si qendër turistike, duke e shtuar fenomenin në ishull. Isabel Maria Perez kërkoi strehim të përballueshëm në ishull dhe u përball me këto shifra: një dhome teke shkon deri në 1 mijë Euro në muaj, ndërsa një apartament mund të kushtojë 1500 Euro në muaj.
Ajo punon si arkëtare në një supermarket ndërsa partneri i saj në një hotel me pesë yje. Por kur apartamenti i tyre u shit, duhej të largoheshin. Që atëherë ata kanë jetuar në shtëpinë e prindërve të burrit. Tashmë Isabel thotë se po mendohet të kthehet në vendlindjen e saj në një zonë në qendër të Spanjës.
“Problemi është se në zonat e tjera të Spanjës nuk ka shumë punë. Këtu ke të gjitha punët që do të bësh, por nuk ke ku jeton”, tha ajo.
Papunësia në Ibiza është nën 5% krahasuar me Madridin që e ka 8% dhe Seville-n 19%. Ibiza ka një popullsi prej 160 mijë banorësh, por pret deri në 4 milionë turistë. 84% e ekonomisë së saj lidhet me turizmin. Hotelet, restorantet dhe klubet mundësojnë shumë punë, por pjesa më e madhe e apartamenteve janë të disponueshme për turistët që vijnë dhe punëtorët vendas duket se janë përjashtuar nga llogaritë.
Autoritetet lokale fajësojnë pronarët pasi sipas tyre po shkelin ligjin duke ofruar pronat e tyre me afat të shkurtër në një kohë kur ligji thotë se banesa duhet marrë me qira për të paktën 6 muaj. Sipas tyre, ata kanë vendosur rreth 4 milionë euro gjoba për veprimtari të paligjshme në sektorin e turizmit që prej vitit 2019.
Por BBC e mbyll shkrimin me ironinë se kriza për shtëpi në Ibiza po kërcënon të shkatërrojë të njëjtën industri turizmi që po fajësohet se po shkakton rritjen e qirave. E në këtë mënyrë të tjerë njerëz thonë se pritet të ketë edhe shumë largime punonjësish për shkak të kostove të papërballueshme./tvklan.al