Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se një prej punonjësve që shërben në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Jordan Misja” në Tiranë ose siç njihet ndryshe burgu 313, ka rezultuar i infektuar me virusin Covid-19.
Ky punonjës u ishte nënshtruar kontrolleve të mëparshme mjekësore dhe kishte rezultuar negativ.
Vetëm pas shenjave që kanë shfaqur familjarët e tij, ai ka kryer një tjetër vizitë më të specializuar nga mjekët epidemiolog dhe pas kryerjes së tamponit përkatës në Spitalin Infektiv sipas protokolleve shëndetësore, ka rezultuar pozitiv së bashku me bashkëshorten dhe djalin.
Drejtori e Përgjithshme e Burgjeve thotë se punonjësi i infektuar me COVID-19 nuk ka pasur kontakte të afërta me persona të tjerë, si dhe gjatë ushtrimit të aktivitetit të tij ditor ka qenë i pajisur me maska, doreza si dhe ka ruajtur distancimin social.
“Theksojmë se, punonjësi nuk ka pasur asnjë funksion të lidhur drejtpërdrejt me regjimin e brendshëm të burgjeve, ç’ka deri më tani konfirmojmë se nuk ka asnjë rrezik për të burgosurit. Pas përfundimeve të nxjerra nga grupi i specialistëve të shëndetësisë në DPB, të shqyrtuara me kujdes edhe nga mjekë epidemiologë, më datë 15.04.2020 janë marrë masat për mbajtjen nën kontroll, vetëkarantimim dhe kryerje të analizave për disa punonjes të këtij institucioni”. Këta të fundit, pasi kanë kryer analizat përkatëse kanë rezultuar të gjithë me përgjigje negativ dhe do t’i rikthehen punës shumë shpejt”, deklaron Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. /tvklan.al