Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëron përdorimin e armëve bërthamore kundër atyre vendeve të NATO-s që lejojnë Ukrainën të godasë me armët e tyre me rreze të gjatë veprimi, territorin rus.
Për këtë, shefi i Kremlinit paraqiti para Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, propozimet për ndryshimin e doktrinës bërthamore.
“Versioni i përditësuar i dokumentit propozon që sulmet ndaj Rusisë nga një vend jo-bërthamor, me mbështetjen e një fuqie bërthamore, të konsiderohen si sulme të përbashkëta. Kushtet se kur Rusia duhet të përdorë armë bërthamore janë tashmë të qarta”, tha Putin.
Ndërsa kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara Donald Trump akuzoi presidentin Biden dhe rivalen demokrate Kamala Harris se po e çojnë botën drejt Luftës së Tretë Botërore, duke ironizuar qasjen politike të Uashintonit ndaj Ukrainës.
“Sa herë që Zelenski vjen në Shtetet e Bashkuara, ikën nga ky vend me 100 miliardë Dollarë. Mendoj që është tregtari më i mirë në botë”, tha Trump.
Trump premtoi se nëse zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara do t’u japë fund konflikteve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, për të parandaluar Luftën e Tretë Botërore.
Tv Klan