Rusia ka sulmuar ditën e sotme qytetin e dytë më të madh të Ukrainës. Nga Kina, pasi ishte në një takim zyrtar, presidenti rus Vladimir Putin tha se sulmet me dronë ndaj Kharkivit nuk kanë për qëllim pushtimin e saj, por krijimin e një zone sigurie për ofensivën ruse.
“Rusia nuk ka plane të tilla sot për qytetin e Ukrainës,” deklaron Putin.
Megjithatë kjo deklaratë e tij para shtypit ka lënë shumë polemika pasi jo pak herë ka rezultuar që fjalët e tij të jenë në kundërshtim me veprimet dhe qëllimet që ai ka në Ukrainë. Madje në vitin 2020 ai deklaroi se nuk kishte për qëllim sulmin e plotë të Ukrainës apo përshkallëzimin e konflikteve që tashmë u kthyen në një luftë.

Udhëheqësi i Kremlinit shtoi më tej se qëllimi ishte të garantohej siguria e qytetit kufitar rus të Belgorodit, i cili është sulmuar shpesh nga forcat e armatosura të Ukrainës.
“Ukraina po qëllonte drejt qendrës së qytetit, në zonat e banuara të Belgorodit. Dhe unë e kisha thënë publikisht se nëse kjo do të vazhdonte, ne do të detyroheshim të krijonim një zonë sigurie”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, ushtria e Ukrainës nuk e ka komentuar pretendimin e Rusisë se po qëllonte në pjesët e banuara të Belgorodit. Kievi ka thënë më parë se po godiste objektiva legjitime ushtarake në rajon, siç janë rafineritë e naftës.

Ndërkaq pushtimi i plotë i Rusisë ndaj fqinjit të saj Ukrainës është tani në vitin e tretë të luftimeve dhe aktualisht nuk ka ende asnjë shenjë shprese se ky konflikt më i përgjakshmi që nga Lufta e Dytë Botërore mund të përfundojë.
/tvklan.al