Drejtuesi i emisionit “Opinion” në Tv Klan, Blendi Fevziu i drejtoi një pyetje deputetit socialist Musa Ulqini për paratë e financimit të televizioneve, duke marrë shkas nga paketa “anti-shpifje” që qeveria ka hartuar për portalet.

Pyetja e Blendi Fevziut nëse Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka gjetur raste të dyshimta të financimit të televizioneve, nuk mori një përgjigje të drejtpërdrejtë nga deputeti Ulqini.

Blendi Fevziu: Z.Ulqini, a i keni bërë ndonjëherë pyetje vetes meqë ky ligj, po e bëj pyetje pa përgjigje, meqë ju thoni që do i japë fund financimeve të panjohura, problematike në portale etj, a i ka penguar deri sot AMA financimet e televizioneve? E dini sa televizione ju funksionojnë me humbje edhe me para të dyshimta që shumë shqiptarë s’e dinë nga vijnë? Lere tani se s’ka nevojë të përgjigjesh se dhe vetë je në siklet për këtë pjesë.

Deputeti Musa Ulqini: Jo nuk jam fare në siklet. Unë di vetëm një gjë të them. Kur filloi të funksiononte AMA dhe kur ne e bëmë ligjin për mediat elektronike, reaksioni nga pronarët ka qenë i hatashëm. Më i madh se tani. Sepse nuk pranonin vetërregullimin.

Blendi Fevziu: Të bëra pyetje tjetër. Të thashë, a ka gjetur AMA burimet e financimit problematike në ndonjë televizion në Shqipëri?

Deputeti Musa Ulqini: Sot çdo media elektronike, radio, edhe ky televizioni juaj, deri në fund të Marsit depoziton pranë AMA një dokument për mënyrën nga vijnë paratë, si i shpenzon etj. Kjo është një gjë që ka vendosur rregull. Por a ka gjëra që nuk shkojnë? Padiskutim që ka gjëra që nuk shkojnë.

/tvklan.al