Klinton Zeqiraj, gazetari i emisionit investigativ “Stop” në Tv Klan sapo i ka propozuar partneres së tij nga Bjellorusia, Ekaterina Dubenik. Historia e tyre 4-vjeçare e dashurisë tashmë ka marrë një tjetër dimension dhe s’do të jetë e largët dita kur t’i shohim të celebrohen në martesë.
Të ftuar në “Rudina”, ata rrëfejnë për planet e së ardhmes, shoqëruar sigurisht me humorin që i karakterizon të dy.
Rudina Magjistari: Si e shihni veten tuaj pas 10 vitesh, të dy bashkë?
Klinton Zeqiraj: Sigurisht me fëmijë. Ekaterina i do shumë fëmijët, edhe unë sigurisht dhe kur bie ndonjëherë muhabeti që themi sa fëmijë do bëjmë, kur jemi në ndonjë ditë kështu, “tre, katër”, thotë kjo dhe Gushi “moj qenke e rrezikshme ti!”
Por Shegushja, nëna e Klintonit nuk ishte e pranishme në bisedë vetëm përmes batutave të çiftit. Ajo është shumë prezente në jetën e tyre pasi jetojnë së bashku e madje i ka mësuar mirë shqipen Ekaterinës, por u bë pjesë e programit përmes një mesazhi shumë të ndjerë për ta, mbushur plot me urime nëne.
Shegushe Zeqiraj: Përshëndetje zemrat e mia, jam mami! Po po mos u çudisni! Vetëm ti Klinton di të bësh surpriza? Mami ka një mesazh për ju të dy. Them mami sepse Ekaterina është pjesë e familjes sonë. Mbase jam pak e ashpër, por të them që Klinton, mami është shumë krenare për ty dhe për shoqen tënde që ti ke zgjedhur të jetosh jetën. Po të them që Ekaterina erdhi aq spontanisht në familjen tonë, me atë qetësinë e vet, me atë edukatën e vet, na bëri të gjithëve për vete! Ju uroj një jetë të lumtur, plot shëndet, plot dashuri, plot harmoni! Mami ju përqafon shumë dhe ju dua shumë!/tvklan.al