Qeveria ka parashikuar që të financojë 6 miliardë Lekë për transportin hekurudhor gjatë vitit 2025. Gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë, Ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku tha se e gjithë flota e re e rrjetit hekurudhor do të jenë me elektricitet.

“Hekurudhat e reja do të operjnë me elektricitet. Duke qenë në përafrim të plotë të kërkesave të BE për transportim me “zero” emetime. Kosto totale e elektrifikimit është vlerësuar 21 mln euro”, tha Balluku.

Balluku njoftoi se ka përfunduar edhe studimi për një tjetër linjë hekurudhore, atë Durrës-Prishtinë.

Kemi pasur tri oferta teknike që kanë dhënë mundësinë e ndërtimit nga tre pikëdalje të ndryshme. Është ofruar edhe Rruga e Kombit, por është vendosur për pikëlidhjet Shkodër dhe Gjakovë, jo Kukësi dhe Prizreni duke qenë se kemi një autostradë të rëndësishme në këtë zonë”, tha Balluku.

Gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë Balluku u përfshi në debate të ashpra me opozitën, e cila e akuzoi për abuzime miliona euroshe me disa prej projekteve infrastrukturore në vend.

“Jo me kot themi rrugë të florinjta, 450 mln euro Thumanë-Kashar me 21 km”, tha nga opozita Edmond Spaho.

“The dy gënjeshtra, nëse ti nuk do tërhiqesh të betohem me këtë video, unë do ta çoj në kallëzim penal”, tha Balluku.

Për vitin e ardhshëm Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës do të ketë një buxhet prej 74 miliardë lekësh, ku 33.4 miliardë janë parashikuar për projektet e transportit rrugor.

Tv Klan