Pas vendimit të Gjykatës së Romës ministri i Jashtëm Antonio Tajani, ka theksuar se drejtësisë i takon që të zbatojë ligjin sepse nuk mund ta ndryshojë atë.
“Demokracia bazohet në ndarjen e pushteteve mes legjislativit, gjyqësorit dhe ekzekutivit. Nëse një nga këto pushtete i tejkalon kompetencat e tij, kjo përbën një problem. Është problem institucional, nuk është problem i djathtë apo i majtë. Drejtësia duhet të zbatojë ligjin, nuk mund ta ndryshojë atë. Ajo nuk mund të vendosë nëse një ligj është i drejtë apo jo pasi ligjet janë të miratuara nga Parlamenti.”
Tajani paralajmëron emergjencën për reformën në drejtësi.
“Unë nuk jam kundër gjyqtarëve, por na nevojitet urgjentisht reforma në drejtësi. Ne duam që të ketë një ndarje të sistemit të karrierës sepse duhet gjetur një ekuilibër më të madh. Pushteti i tepërt në duart e njërës palë, në këtë rast të gjyqësorit, çekuilibron gjithçka dhe prish këtë ekuilibër që është garanci e demokracisë. Ajo që e rëndon problemin është se në historinë italiane ka pasur një politizim të tepruar të gjyqësorit. Kur gjyqësori lejohet të ketë një rrymë të lidhur me një parti politike, si mund të flasim për pavarësinë e tij.”
Tajani e konsideron Shqipërinë vend mik, jo si Ruanda, por kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ai deklaroi se modeli italo-shqiptar për strehimin e azikërkuesve po ndiqet me shumë interes edhe nga BE-ja për të luftuar imigracionin e parregullt. Qeveria italiane synon modifikimin e listës së vendeve të sigurta, listë që siç është aktualisht e bën praktikisht të pazbatueshme marrëveshjen me Shqipërinë për emigrantët.
12 azilkërkuesit e parë që u vendosën në Gjadër, u rikthyen në Itali pasi Gjykata e Romës e hodhi poshtë vendimin për ndalimin e tyre, duke argumentuar se nuk mund të kthehen në vendet e origjinës, në Bangladesh apo Egjipt, duke i konsideruar ato si vende jo të sigurta.
Klan News