Ndonëse e cilësoi të vonuar arrestimin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, nga studio e emisionit “Opinion” Sali Berisha zbuloi se Kryeministri e kishte lëshuar Erion Veliajn për shkak se ky i fundit nuk pranohej nga klani Rama brenda radhëve të socialistëve.

“Arrestim i vonuar, është një nga hajdutët më të shpërfytyruar. 130 milionë Euro djegësi i Tiranës. Mund të mos dinte momentin, Edi Rama priste arrestin në Dhjetor. Nuk e donte në këtë moment se është pak vonë. Që Edi Rama do të lante duart me Erion Veliajn, unë e kam thënë në mënyrë të përsëritur në këtë studio. Erion Veliaj nuk pranohej nga klani Rama”.

Prangosjen e Erion Veliajt e sheh si fundin e kundërshtarit të tij politik.

“Prangosja e Erion Veliajt ishte fundi i tij”.

Në vend të bashkëpunimit me Edi Ramën, reformën në drejtësi tha se do ta konsultojë me ndërkombëtarët dhe qytetarët.

“Kjo përjashtohet në mënyrë kategorike që unë të bashkëpunoj me Edi Ramën, në mënyrë absolute për Reformën në Drejtësi. Do bashkëpunoj me qytetarët shqiptarë, do marr Komisionin e Venecias dhe do jetë referendumi ai që do japë përgjigje”.

Pranon që në radhët e drejtësisë ka prokurorë e gjyqtarë që zbatojnë ligjin dhe paralajmëron ata që i cilëson të korruptuar për fundin që i pret.

“Secili prej tyre që ka fjetur mbi dosjet e krimit do shkojë tek vendi, do ndryshojë drejtësia”.

Pas deklaratave të Kryeministrit për arkitektin e fushatës së Donald Trump që do të drejtojë edhe fushatën e demokratëve në 11 Maj, Berisha sheh zhgënjimin e Edi Ramës dhe shpjegon arsyen.

“Ai që foli në atë mënyrë, ai bëri gjithçka që t’i merrte”.

Jo pak herë mazhoranca i ka kërkuar transparencë për kontratën e nënshkruar me Chris LaCivita, por Berisha thotë se do bëjë tranparencë deri në qindarkën e fundit.

Me durim pret plotësimin e administratës së re amerikane për të nisur lobimin për heqjen e non gratës, por a është në planet e Sali Berishës një udhëtim përtej oqeanit përpara zgjedhjeve të 11 Majit?

“S’kam dijeni për këtë udhëtimin, unë po punoj ditë e natë. Po pres momentin që të marrin detyrën”.

Berisha konfirmoi që jo vetëm aleati i tij, por edhe drejtuesit e qarqeve do të jenë në listat e sigurta për zgjedhjet e 11 Majit.

“Meta ka mbështetjen totale të opozitës, është i burgosur politik, do të jetë tek listat e mbyllura. Drejtuesit politik do të jenë në lista të mbyllura”.

I pyetur në lidhje me marrjen e emigratëve palestinezë, sërish u shpreh se vendi ynë nuk ka kapacitet për ta bërë një gjë të tillë.

Tv Klan