Në përfundim të takimit të kryediplomatëve nga Ballkani Perëndimor në Romë, Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, dha një mesazh në mbështetje të “ribashkimit” me BE-në deri në vitin 2030.
Ai i cilësoi të shkëlqyera në veçanti marrëdhëniet me Shqipërinë.
“Me Shqipërinë marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera. Qëllimi ynë është i qartë, ribashkimi i kontinentit evropian me shtetet ballkanike deri në vitin 2030. Anëtarësimi i këtyre shteteve mbetet një orientim strategjik për BE-në. Ne duam që të forcohet koordinimi për prioritetet që do të ndiqen në këtë drejtim gjatë vitit 2025, duke përshpejtuar procesin e integrimit evropian të këtij rajoni. Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është një prioritet për qeverinë italiane, i lidhur ngushtë me sigurinë e të gjithë kontinentit evropian”, tha Antonio Tajani.
Sipas Tajanit, ndoshta anëtarësimi i plotë në familjen evropiane do të mund të marrë më shumë kohë për Bosnjen dhe Hercegovinën, por sipas tij Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, dhe Maqedonia e Veriut kanë potencialin për të përmbushur afatin vitin 2030.
Kryediplomatët ranë dakord edhe për menaxhimin e emigracionit, për të luftuar kontrabandën e emigrantëve, trafikimin e qenieve njerëzore duke vlerësuar kontributin e Shqipërisë në këtë drejtim.
Klan News