Këshilli i Ministrave në mbledhjen e kësaj të Enjteje miratoi bonusin e pranverës për pensionistët. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja publikoi vendimin për përfituesit. Një tjetër vendim i qeverisë ishte dhe unifikimi i shpërblimit për punonjësit e policisë.
“Jemi në një risi dhe në një dhënie të vijueshme për policinë. I gjithë aktiviteti e organizimi i dhënies së këtyre shpërblimeve do unifikohet.”
Qeveria ka ndezur “dritën jeshile” edhe për Paketën e Maleve, që parashikon lehtësi fiskale për ata që do të investojnë në funksion të turizmit alpin.
“Bashkitë të propozojnë zona për zhvillim malor dhe përfitojnë me ligj përparësi duke filluar nga lehtësira fiskale, zgjidhin probleme me pronësinë dhe thjeshtojnë lejet për këto zhvillime. Zgjidhin zoonimin, incentivat fiskale, lejet për këto zonat.”
Paketa e Maleve vjen pas 200 certifikave të pronësisë që u shpërndanë në 30 Qershor për shtëpitë në zonën turistike të Thethit. Një tjetër vendim i qeverisë ishte edhe kompensimi i ish-pronarëve, pronat e të cilëve janë të zënë nga ndërtime pa leje.
“Kemi kaluar këtë vendim për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje. Është një vlerë rreth 10 milionë Euro dhe që kompenson një sipërfaqe prone rreth 90 mijë metra katrorë. Ish-pronarët, pronat e të cilëve janë zënë nga ndërtime informale, do të marrin kompensimin në vlerë në masën 10 milionë Euro në total për të gjithë në këto bashki dhe që kompensohen rreth 90 mijë metra katrorë tokë”
Gjithashtu qeveria ka shtyrë afatin për shqyrtim të dosjeve të patrajtuara, deri në Dhjetor 2027, ndërsa afati i kompensimit të tyre u shty deri në Dhjetor 2028.
Klan News