Ashtu siç kishte parashikuar, qeveria ka caktuar përmes aktit normativ për ndryshimin e buxhetit 2024 bonusin e pranverës për të gjithë penionistët.
Përmes një deklarate, ministri i Financave, Petrit Malaj tha se për këtë qëllim do të sigurohet krijimi i një llogari speciale në Bankën e Shqipërisë, në mbështetje të pensionistëve në të cilën do të transferohet një fond prej 6.3 miliardë Lekësh.
Petrit Malaj: Në pranverë do të përfitojnë bonus në masën 10 mijë Lekë ose 100 Euro të gjithë ata pensionistë, pensioni mujor i të cilëve është nën 20 mijë Lekë dhe 5 mijë Lekë ose 50 Euro të gjithë ata pensionistë, vlera e pensionit mujor të të cilëve është mbi 20 mijë Lekë.
Akti normativ përcakton edhe një bonus të menjëhershëm që do të shpërndahet për Vit të Ri për të gjitha shtresat e tjera në nevojë.
Petrit Malaj: Do të jenë përfitues të bonusit prej 15,000 lekësh të gjitha familjet që trajtohen me Ndihmë Ekonomike, Personat me Aftësi të Kufizuar (PAK), si dhe kujdestarët e tyre.
Gjithashtu, ministri Malaj theksoi se akti normativ bën të mundur alokimin e një fond shtesë prej rreth 1.6 miliardë Lekë për për të mbështetur bashkitë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, si dhe për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike ndaj qytetarëve.
Ndërkohë që me një fond shtesë në masën 1.4 miliardë Lekë do të mbështeten fermerët, duke siguruar investim të vazhdueshëm për një nga sektorët më prioritarë të ekonomisë, siç është bujqësia.
Tv Klan