Duke nisur nga muaji Shkurt, 730 mijë e 430 pensionistë do të përfitojnë bonusin e pranverës të premtuar nga Kryeministri Edi Rama. Vendimi i marrë në mbledhjen e qeverisë, vjen pas bonusit të fundvitit, të shpërndarë për të moshuarit.
“Ky bonus do shpërndahet 10 mijë lekë për ata që marrin pension më të ulët se 20 mijë lekë në muaj dhe 5 mijë lekë do marrin pensionistët që marrin mbi 20 mijë lek pension në muaj”, tha ministri Blendi Gonxhja.
Drita jeshile u ndez edhe për paketën e maleve, që parashikon lehtësi fiskale për ata që do të investojnë në funksion të turizmit malor. Ministri për Pushtetit Vendor, Arbian Mazniku, theksoi se kjo paketë krijon një sinergji të re bashkëpunimi mes pushtetit vendor dhe atij qendror për zhvillimin e turizmit në këto zona.
“Bashkitë të propozojnë zona për zhvillim malor dhe përfitojnë me ligj përparësi duke filluar nga lehtësira fiskale, zgjidhin probleme me pronësinë dhe thjeshtojnë lejet për këto zhvillime. Zgjidhin zoonimin, incentivat fiskale, lejet për këto zonat.”
Një tjetër vendim i qeverisë ishte edhe ai për unifikimin e shpërblimit për punonjësit e Policisë së Shtetit.
“Jemi në një risi dhe në një dhënie të vijueshme për policinë. Të gjithë aktivitetin e organizimit dhe dhënies së këtyre shpërblimeve do unifikohet”, tha ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.
Ndërkohë qeveria vendosi të shtyjë edhe afatin për shqyrtimin e dosjeve të ish-pronarëve dhe kompensimin e tyre.
“Kemi vendosur që të ndryshojmë Ligjin 133 të vitit 2015, duke e çuar afatin e vlerësimit dhe shqyrtimit të dosjeve të patrajtuara nga ATP deri në dhjetor të vitit 2027, ndërsa, afati i kompensimit në vlerë të ish-pronarëve do të shtyhet deri në dhjetor 2028”, tha ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
Qeveria miratoi edhe vendimin për kompensimin financiar të pronarëve që preken nga legalizimi i ndërtimeve të paligjshme me një vlerë totale prej 10 milionë euro.
Tv Klan