Për herë të dytë brenda këtij viti qeveria ka vendosur të rishikojë buxhetin e shtetit. Në të parën dalje, ministri i ri i Financave shpjegoi se akti normativ i miratuar këtë të mërkurë nga qeveria parashikon rishpërndarjen e 27 miliardë Lekëve të cilat kanë ardhur nga të ardhurat e larta kryesisht të organeve të tatimeve.
“Këto të ardhura shtesë janë menduar të shpërndahen në ato sektorë që kanë një ndikim të lartë në jetën sociale”, tha Petrit Malaj.
Sektorët që do të përfitojnë nga kjo rishpërndarje janë bujqësia, e cila do të marrë 500 milionë lekë. 250 milionë do të shkojnë për financimin e projekteve në shërbimin parësor e dytësor shendetësor. 1.3 miliardë Lekë do të paguhen orët shtesë dhe dietat ushqimore për punonjësit e policisë. 300 milionë Lekë do të përdoren nga Ministria e Arsimit për të shpërblyer sportistët që kanë pasur rezultate në kompeticione ndërkombëtare si dhe 2 miliardë lekë për investime në ujësjellësa.
Pjesa tjetër e këtij fondi do të shkoj për të rivendosur në funksion 3 uzinat e prodhimit të armëve duke paguar të gjitha detyrimet për punonjësit dhe ish-punonjësit e uzinave të Poliçanit, Mjekësit dhe Gramshit, borxhet e prapambetura të tyre ndaj palëve të treta si dhe krijimin e shoqërisë së re shtetërore për industrinë e armatimeve.
“Do ketë të gjitha instrumentet ligjore dhe financiare për të hyrë në marrëveshje bashkëpunimi me investitorë të huaj nga vende të NATO-s”, tha ai.
Kryeministri Rama ka deklaruar se Shqipëria ka objektiv që deri në 2030 të bëhet një vend eksportues i armëve “Made In Albania”.
Tv Klan