Një ndër vendimet e miratuara sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave është edhe ai për fond shtesë për KQZ-në, në kuadër të zgjedhjeve të 11 Majit.

Vendimi i plotë:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikёs 3, tё nenit 14, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

Vendosi:

1. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2025, i shtohet fondi prej 2 500 000 000 (dy miliardë e pesëqind milionë) lekësh, për organizimin e zgjedhjeve për Kuvend të datës 11 maj 2025, i cili detajohet, si më poshtë vijon:

– 2 460 000 000 (dy miliardë e katërqind e gjashtëdhjetë milionë) lekë, në zërin “Shpenzime korrente”, në programin buxhetor 01620 “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”;

– 40 000 000 (dyzet milionë) lekë, në zërin “Shpenzime kapitale”, në programin buxhetor 01620 “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”.

2. Efekti financiar, i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi për zgjedhjet e përgjithshme, miratuar për vitin 2025.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.


Në zgjedhjet parlamentare të drejtën e votës e gëzojnë 3,721,116 qytetarë në 5050 qendra votimi në vend. Kujtojmë se për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vendin tonë, në listat zgjedhore do të përfshihen dy kategori zgjedhësish. Në të parën futen shqiptarët që jetojnë brenda vendit dhe ata të diasporës.

/tvklan.al