Qeveria e Maqedonisë miratoi këtë të enjte marrëveshjen me Greqinë, duke i hapur rrugë publikimit të saj. Marrëveshja përfundimtare mes Shkupit dhe Ahitnës përbëhet nga 19 faqe dhe 20 nene.
Pjesa e parë dhe kryesore përcakton ndryshimin kushtetues të emrit, nga “Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë” në “Republika e Maqedonisë së Veriut”.
Marrëveshja parashikon gjithashtu ndryshimin e shtetësisë. Maqedonasit do të njihen si maqedonas, qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, çka do të vlejë për të gjitha dokumentet e udhëtimit. Gjuha, një tjetër pikë e rëndësishme e marrëveshjes, do të njihet si maqedonase me origjinë sllave. Ndërsa kodet në tabelat regjistruese do të jenë, NM ose NMK.
Qeveria e Shkupit pritet të dërgojë marrëveshjen për ratifikim në Kuvend, pas këtij hapi do të njoftohet zyrtarisht Greqia, e më pas do të pyetet populli në referendum. I gjithë procesi duhet të mbyllet brenda vitit 2018, thuhet në marrëveshje.
Pakti mes Athinës dhe Shkupit kundërshtohet nga Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov, i cili të mërkurën e tha prerë se nuk do ta dekretojë kurrë atë. Në një linjë me Presidentin është edhe opozita maqedonase.
Me flakadanë, këngë patriotike dhe simbole nacionaliste, qindra mbështetës të opozitës protestuan natën e të mërkurës në Shkup, kundër marrëveshjes me Greqinë.
Në parrulla kërkohej dorëheqja e Kryeministrit Zaev, i akuzuar për tradhëti kombëtare. Edhe opozita greke është kundër variantit që përmban termin “Maqedoni” dhe paralajmëron protesta, si dhe një mocion mosbesimi për qeverinë, duke shfrytëzuar faktin që kundër marrëveshjes janë edhe “Grekët e Pavarur”, partnerë në koalicionin qeverisës.
Tv Klan