Kryeministri i vendit, Edi Rama do i bashkohet mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së që do të mbahet ditën e sotme. Në mbledhjen e paralajmëruar të nisë në orën 10:00 do të flitet për qeverisjen, ligjin, korrupsionin, si dhe për një nismë të re kombëtare për Shqipërinë 2030.
Përveç kryeministrit, pjesmarrës do të jenë dhe anëtarët e kabinetit qeveritar. Mbledhja parashikohet të jetë publike, ndërsa kryeministri pritet t’u drejtohet me disa mesazhe grupit parlamentar si dhe qeverisë. Krahas renditjes së diskutimeve në mbledhjen e së martës, kreu i qeverisë ka publikuar një foto nga zyra ku shfaq edhe flamurin kombëtar të stampuar në veshjen e tij.
Ndërkohë, në Parlament prioritet është Reforma Zgjedhore, për të cilën palët ende nuk kanë gjetur rrugën drejt ujdisë, por edhe rishikimi i Reformës në Drejtësi, diskutimet për të cilën pritet të rikthehen në Parlament gjatë javës së ardhshme.
Ky takim i kryeministrit Edi Rama me grupin parlamentar dhe qeverinë vjen pak ditë para nisjes së një turi në diasporë për të takuar shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në vendet fqinje dhe jo vetëm. Ndalesa e parë do të jetë në Athinë ndërsa do të përmbyllet me një takim me shqiptarët e Londrës./tvklan.al