Greqia është duke u përballur me një situatë zjarresh shumë të vështirë në këto momente. Flakët kanë mbërthyer periferinë e Athinës, ndërsa autoritetet u kanë kërkuar mijëra banorëve që të evakuohen.

Siç raporton BBC, ajri në Athinë mban erë djegieje, është jashtëzakonisht shumë nxehtë dhe qielli duket i zi prej tymit. Në Varnavas, rreth 32 kilometra larg Athinës janë djegur edhe banesa. Ndërkohë autoritetet kanë evakuuar në agim një spital fëmijësh dhe një qendër ushtarake mjekësore.

Një shkollë në Nea Penteli është përfshirë nga flakët, ndërkohë që banorët janë ankuar se nuk ka mjaftueshëm zjarrfikës dhe mjete për t’i ndihmuar. Ndërkohë drejt banorëve në zonën Dionysos është dërguar mesazhi që të evakuohen në veri-perëndim, drejt Kiffissia-s.

Në flakë janë edhe prona e shtëpi në zonën e Ano Vrilissia dhe Chalandri (vetëm 8.8 kilometra larg qendrës së Athinës).

Banorët e Vilissia-s janë duke kërkuar ndihmë pasi flakët janë shumë pranë pronave të tyre. Në këto momente, atje po operojnë 34 aeroplanë, megjithatë operacioni është tejet i vështirë pasi era e fortë ka rritur intensitetin e flakëve.

“Është shumë e vështirë të marrësh frymë këtu. Në disa zona ajri është mbytës dhe mund të shohësh tym të zi që rrethojnë shtëpitë dhe lagjet”, tha gazetari Ioannis Papadopoulos për BBC.

Për shkak të situatës së vështirë, Greqia ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare. Pritet që ndihma të vijë nga Spanja, Italia, Turqia dhe Kanadaja. Franca nga ana tjetër do të ndihmojë me një helikopter Super Puma ndërsa Republika Çeke do të dërgojë 75 zjarrfikës dhe 25 mjete.

Zjarri ka nisur prej më shumë se 24 orësh dhe zjarrfikësist po përpiqen që ta vënë nën kontroll. Avionët kanë pak orë në dispozicion deri në perëndim. Më pas u duhet që të ulen në tokë dhe operacioni do vazhdohet nga zjarrfikësit me mjete në tokë./tvklan.al