Edi Rama ka lajmëruar një padi penale për shpifje për ata që e akuzojnë se ka përdorur pushtetin si kryeministër për te grabitur një prone ne zonën e Vunoit. Por ndërkohë që juristët e tij hartojnë dokumentin që do të dorëzohet në gjykatë kryeministri në një postim të gjatë në Facebook rreshton të gjitha hapat ligjore që kane ndjekur kushërinjtë e tij si trashëgimtarë të një prone në pronësi të gjyshit dhe dajës se tij në fshatin Vuno, të cilat Rama i quan të vërteta faktike.
“Më 12.05.2003 me kërkesë të Edrin dhe Eno Kolekës si trashegimtarë të Petro dhe Spiro Kolekës, Gjykata e Vlorës njeh pronësinë e Petro dhe Spiro Kolekes mbi 22.4 ha pyll dhe kullota në fshatin Vuno, të Bashkisë Himarë (diku lart në rripa malesh shumë larg vijës bregdetare meqë flasin edhe për vlera dhjetra milionëshe të truallit të “grabitur”). Më 06.05.2016 me hyrjen në fuqi të ligjit 133/2015 që u shqyrtua deri në Strasburg , Edrin Koleka paraqet kërkesë në Agjencinë e Trajtimit të Pronave (ATP) për njohjen dhe kthimin e pronës në kufijtë ekzistues, sepse është sipërfaqe e lirë (pra në kohën kur unë isha në krye të qeverisë dhe në krye të agjencisë ishte një drejtues i emëruar nga qeveria ime, me firmën time)”.
Kjo kërkesë sipas Ramës është rrëzuar nga Agjencia e Trajtimit të Pronës edhe pse në atë kohë ishte në krye të qeverisë duke e nënvizuar këtë fakt si dëshmi që jo vetëm s’i ka favorizuar, por përkundrazi e ka bllokuar me firmën e tij marrjen kthimin e kësaj prone.
“Me vendimin nr.504, dt.30.03.2017, ATP-ja e rrëzon kërkesën e Edrin Kolekës dhe e argumenton kundërshtinë mbi bazën e VKM nr. 222 date 23.03. 2016 “ Për trajtimin e kërkesave për njohje të pronës dhe kompensimin e saj “ (e cila mban firmën time, e jo që nuk i favorizon, siç bërtasin kllounët e ekstremizmit grek në Athinë dhe të paudhët pa atdhe të ujrave e të listave të zeza të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, po përkundrazi, i pengon drejtpërdrejtë të 11 trashëgimtarët e familjes Koleka të përfitojnë pronën e gjyshërve të tyre). Dokumentacioni konsiderohet jo i plotë, jo vetëm në bazë të VKM-së së mësipërme, po edhe sipas ligjit nr.133/2015 për “ Trajtimin e pronës dhe përfundimim e procesit të kompensimit të pronave“. (E thënë ndryshe, ky ligj i kaluar me propozimin e qeverisë sime të mandatit të parë dhe me votat e shumicës socialiste, nuk e njeh vendimin e gjykatës si dokument origjine). Edrin Koleka e ankimon këtë vendim të ATP-së në Gjykatën e Apelit Vlorë dhe kjo gjykatë me vendimin nr.40 datë.19.03.2019 e bën nul vendimin nr.504 date 30.03.2017 të ATP-së, duke njohur kompensimin fizik në kufijtë e pronës së Petro dhe Spiro Kolekës, për një sipërfaqe 22.4 ha pyje dhe kullotë në Vuno, Qarku Vlorë”.
Rama shtjellon odisenë që vazhdon për këtë pronë dhe shpjegon se edhe pse është një nga 11 trashëgimtarët e ka deklaruar hapur se vetëpërjashtohet nga përfitimi i çdo pasurie.
“E kam bërë me dije në familje qysh në kohëra tanimë të vjetra, kur isha thjesht “një piktor me thonj të paprerë që flija nën urat e Parisit” siç më quanin politikanët e Tiranës në librat e sharjeve të tyre, se nuk kam asnjë interes të bëhem pronar i asgjëje të trashëguar, përveç studios së tim eti. Si përfundim sot e kësaj dite nuk ka ende një datë gjyqi në Gjykatën e Lartë për trajtimin e kësaj çështje, nga e cila një ndër përfituesit potencialë është edhe im vëlla, ashtu siç nuk ka në kadastër sot e gjithë ditën asnjë pronë të regjistruar në emër të trashëgimtarëve Petro dhe Spiro Kolekës. Jo 22.4 ha pyll dhe kullotë, po sikur detin e tërë të ma bënin kos, nuk do ta pranoja në këmbim të kënaqësisë së një dite të vetme si kjo në detyrë, kur Himara u gdhi e çliruar nga mjegulla e gjatë e një historie për t’u shkruar njëherë tjetër”.
Rama akuzon jo vetëm opozitën, por dhe qarqe ekstremiste greke pa dashur asnjëherë të vendosi adresën e saktë të tyre se duan ta bëjnë pis në një çështje që është e mbushur me manipulime dhe të pavërteta.
“Ata andej, poshtë nga Athina, nuk duan ta pranojnë se në Shqipëri ka vdekur koha kur mund të fusnin hundë e duar, për të bërë çorap punët tona përmes shërbëtorësh dhe eunukësh me pushtet në Tiranë. Ndërsa këta këtej, lart nga Tirana, pasi vdiq koha kur mund ta shkelnin me të dyja këmbët çdo ligj e zakon, për të grabitur ç’të mundeshin me hijen e pushtetit dhe me ligje e vendime qeverie të kopsitura për interesat e tyre, të familjarëve e të tarafeve të tyre, duan medoemos të më fusin edhe mua në kategorinë e mjerë të të korruptuarve, të cilës i përkasin përgjithmonë në mënyrën më të palavdishme…”
Edi Rama mendon se sulmi i organizuar nga Athina dhe opozita shqiptare bëhet për ta bërë pis dhe për ta barazuar me kundërshtarët politikë, një çorbë e madhe gënjeshtrash sipas tij që dolën në dritë kur Himara po mblidhej për të bërë zgjedhjen e qartë dhe të padiskutueshme që bëri të dielën.
Tv Klan