Një zjarr i madh i shpërthyer pasditen e të Dielën në verilindje të Athinës po përparon me ritme të jashtëzakonshme. Mbi 560 zjarrfikës të mbështetur nga vullnetarë, 17 avionë dhe 15 helikopter zjarrfikës nuk kanë mundur ta venë atë ende nën kontroll.
Zjarri shpërtheu në një zonë pyjore pranë Varnavas, 35 kilometra larg kryeqytetit grek, por erërat e fuqishme, temperaturat e larta dhe ajri i thatë po ndihmojnë në përhapjen e shpejtë të flakëve me drejtim jugun. Autoritetet greke po evakuojnë banorët e zonave pranë vatrave, fshatin Gramatiko’, qytezën antike Maraton dhe atë bregdetare Nea Makri.
Greqia është në alarm të kuq deri të Enjten, nga rreziku i lartë i zjarreve në gjithë vendin, teksa i nxehti është në një nivel tepër të lartë deri në 40 gradë Celsius. Vetëm këtë sezon janë numëruar mbi 2 mijë vatra në gjithë vendin.
Me zjarre po përballet edhe Spanja. Vatra më e madhe gjatë orëve të fundit është ajo në pyjet pranë qytezës së Korbalanit në rajonin e Aragonës, që sërish po ushqehen nga temperaturat e larta dhe erërat e fuqishme, që sipas ekspertëve janë pasojë e ngrohjes globale.
Tv Klan