Kryeministri i vendit, Edi Rama ka reaguar pas marrjes së vendimit nga qeveria për mbylljen e përkohshme të platformës sociale “TikTok”.
Rama në një postim në “X” thekson se ky vendim është marrë pas konsultimeve që janë kryer me 65 mijë prindër e mësues të shkollave tona.
Ndër të tjera kryeministri Rama shprehet se qeveria është në dialog me kompaninë, e cila së shpejti do të vijë në Shqipëri për të paraqitur qoftë masat për rritjen e sigurisë për fëmijët, përfshirë edhe në gjuhën shqipe.
“Vendimi për mbylljen e përkohshme të TikTokut është e para një vendim i marrë në konsultimin e gjerë me 65 mijë prindër e mësues dhe e dyta, është një vendim i marrë pasi u ngritën kapacitetet e nevojshme teknike, ndërkohë që ne jemi në një dialog shumë pozitiv me kompaninë, e cila së shpejti do të vijë në Shqipëri për të na paraqitur qoftë një sërë masash për rritjen e sigurisë për fëmijët, përfshirë edhe në gjuhën shqipe, qoftë disa risi në shërbim të mësimeve e të studimeve. Ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi”, shkruan Rama.
Vendimi për mbylljen e përkohshme të TikTokut është e para një vendim i marrë në konsultimin e gjerë me 65 mijë prindër e mësues dhe e dyta, është një vendim i marrë pasi u ngritën kapacitetet e nevojshme teknike, ndërkohë që ne jemi në një dialog shumë pozitiv me kompaninë, e…
— Edi Rama (@ediramaal) March 6, 2025
Vendimi për mbylljen e “TikTok” u komunikua sot nga ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Kujtojmë se vendimi për mbylljen e “TikTok” u mor nga qeveria në Dhjetor 2024. Kjo lëvizje erdhi pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani me thikë nga një bashkëmoshatar i tyre, pas një sherri të nisur në rrjetet sociale.
/tvklan.al