Kristjan Asllanin e gëzon fitorja e sfidës së parë në të 16-at e Ligës së Kampioneve kundër Feyenoordit.

Në përfundim të takimit, mesfushori kuqezi tha për InterTV, se ekipi bëri një paraqitje të mirë dhe sakrifica ia vlejti.

“Duhej të vuanim, por u treguam të zotë! Gjysma e parë ishte mjaft e komplikuar, por pasi realizuam morëm kontrollin e lojës. Mund të realizonim të tretin, por jemi të lumtur. Kemi qenë të qartë që nga nisja e kompeticionit edhe pse ka ekipe të forta. Të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje, më pas të shikomë!”, tha Kristjan Asllani.

Asllani shprehet se vëmendja e ekipit tani do të jetë te sfida e radhës në kampionat, ndaj Monzës.

“Ekipi po kalon një formë të mirë! Monza është e pozicionuar poshtë në renditje. Por unë kam luajtur në ekipe që kanë luftuar për t’i shpëtuar rënies, e di se do të japin shpirtin. Duhet të jemi të zotë që të fitojmë. Do të jetë e vështirë, asnjë nuk vjen për të humbur por do të provojmë të sjellim në shtëpi tri pikët, që janë objektivi ynë!”, tha Asllani.

Interi kryeson renditjen e Serie A pas 27 javësh me 58 pikë të grumbulluara, ndërsa ndjek Napoli me 1 më pak.

Gara për kreun do të jetë e fortë në vazhdim, pasi midis vendit të parë dhe të katërt është vetëm 6 pikë diferencë.

Klan News