Një evakuim i pjesshëm është urdhëruar në rajonin Tver të Rusisë pasi një sulm “masiv” me dron ukrainas shkaktoi një zjarr atje, tha guvernatori lokal.
Igor Rudenya tha se shërbimet e urgjencës në qytetin e Toropets po përpiqeshin të lokalizonin zjarrin e shkaktuar nga rënia e rrënojave të dronit. Ai nuk tha nëse ka pasur viktima. Ndërkohë, janë shfaqur pamje të paverifikuara që supozohet se tregojnë një shpërthim masiv në qytet, mes raporteve të pakonfirmuara se një depo armësh u godit gjatë natës.
Toropets shtrihet rreth 380 km (236 milje) në veri-perëndim të kryeqytetit të Rusisë Moskë, dhe rreth 470 km në veri të kufirit me Ukrainën.
Të mërkurën në mëngjes, autoritetet e Toropets thanë se autobusët ishin përgatitur tashmë për evakuim. Ata pohuan gjithashtu se situata ishte “nën kontroll” në qytetin me rreth 13,000 banorë teksa autoritetet nuk thanë se sa njerëz po evakuoheshin.
Ndërkohë, media shtetërore ruse raportoi se shkollat dhe kopshtet rajonale do të mbyllen të mërkurën. Sulme gjatë natës u raportuan gjithashtu në rajonet perëndimore të Rusisë Bryansk, Kursk, Oryol dhe Smolensk. Zyrtarët lokalë thanë se rreth 50 dronë dhe dy raketa u rrëzuan ndërsa Ukraina nuk ka komentuar mbi sulmet e raportuara.
Gjithashtu raportohet se ka pasur shpërthime në qytetin verilindor të Ukrainës, Sumy, pranë kufirit rus./tvklan.al