BBC News raporton se Presidenti i SHBA, Joe Biden i ka dhënë dritën jeshile Ukrainës për përdorimin e raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi për të goditur brenda Rusisë. Ky lajm nuk është bërë zyrtarisht i ditur por Presidenti ukrainas, Zelensky citohet të jetë shprehur në një reagim për mediat amerikane se raketat do ta tregojnë veten.

Ndërkohë, Presidenti i SHBA, Joe Biden ka përsëritur mbështetjen e qeverisë amerikane për Ukrainën në samitin e G20 në Rio de Janeiro, megjithëse ai nuk iu referua drejtpërdrejt vendimit për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi nga ana e Ukrainës.

Në komentet e tij të para që nga vendimi, Biden ka thënë në takimin me liderët në samitin e G20-ës se SHBA mbështet fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

“Ne të gjithë duhet të punojmë për t’i dhënë fund konflikteve dhe krizave që po gërryejnë progresin për të përmirësuar sigurinë në mbarë botën. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Të gjithë rreth kësaj tavoline, sipas mendimit tim, duhet gjithashtu”, është shprehur Biden.

Rusia thotë se Biden po i hedh benzinë zjarrit edhe pse vetë Presidenti Putin nuk ka komentuar ende. Ndërkohë, kryediplomati në detyrë i BE-së Joseph Borrell i bëri thirrje vendeve të unionit që të hedhin të njëjtin hap si Washingtoni në ndihmë të Ukrainës./tvklan.al