Kryeministri Rama ka inspektuar punimet në Aeroportin e Vlorës i kategorisë 4E që pritet të hapet vitin e ardhshëm dhe ku mund të punësohen rreth 700 punonjës. Rama i kërkoi kompanisë që po ndërton këtë aeroport punë natë e ditë për të.
“Ky aeroport me një pistë me gjatësi prej 3.2 kilometrash me gjerësi 60 metra do të hapë rrugën edhe për fluturime transoqeanike. Terminali prej 25 mijë metër katror do të ketë edhe dy ura ajrore ku pasagjerët do të hyjnë direkt në bordin e avionit pa u përdorur autobusat.”
Ministrja Balluku njoftoi themelimin e Akademisë Ajrore, me qëllim rritjen e kapaciteteve njerëzore. Ndërkohë aktualisht shumë nga agjencitë turistike lokale dhe ndërkombëtare kanë filluar të prenotojnë fluturimet e tyre në Vlorë.
“Po ecet me ritëm të lartë drejt fazave finale të ndërtimit të këtij aeroporti në kullën e kontrollit, si edhe të gjithë pjesët e infrastrukturës aeroportuale, ku do të operojnë zjarrfikësit, policia, doganat.”
Ndërkaq kryeministri Rama ka inspektuar punimet që po kryhen në kantierin e qendrës multifunksionale për zhvillimin rajonal në Vlorë. Rama e konsideroi këtë godinë 16 katëshe si një hapësirë publike që do jetë në shërbim të të apasionuarve pas teknologjisë dhe inovacionit, jo vetëm nga vendi ynë, por edhe nga ajka e SHBA-së dhe Evropës.
“Rama tha se do të hartohet legjislacioni për parqet teknologjike që në pak kohë të jetë vatër inovacioni e rinisë shqiptare dhe asaj nga të gjitha kontinentet duke i dhënë shtysë turizmit.”
Kreu i Fondit shqiptar të Zhvillimit Artan Agolli e konsideroi ish-godinën e vjetër simbol të urbanizimit jo të duhur.
“Kjo qendër do të kthehet në një habitat për start up-e, aktivitete kulturore e ekonomike që do të gjenerojë të ardhura përmes projekteve.”
Godina 16 katëshe dhe shërben si një lidhje midis Sheshit të Flamurit dhe zonës historike. Në katin e fundit të kësaj ndërtese do të shtrihet një hapësirë e një bulevardi pamor mbi sheshin historik ku u ngrit flamuri kombëtar.
Klan News