Fundi i këtij viti do të shënojë edhe përfundimin e punimeve fizike në Aeroportin e Vlorës.
Sipas zv/kryeministres Balluku punimet në kantjer po ecin me ritme të shpejta, për t’i lënë më pas kohë proceseve të certifikimit dhe kolaudimit të Aeroportit, i cilësuar si një ndër më të mëdhenjtë e rajonit.
Deri më tani janë realizuar më shumë se 40% e punimeve fizike. Drejtori Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil Maksim Et’hemaj tha se projekti sikundër ishte parashikuar po zhvillohet me tre faza.
Aeroporti ndërkombëtar i Vlorës do të ketë një pistë 3.2 kilometër të gjatë për të mundësuar fluturimet transoqeanike.
Në Dhjetor të vitit 2024 pritet që të dorëzohet aplikimi zyrtar bashkë me dokumentacionin përkatës për operimin dhe mirëmbajtjen e tij, përfshi planet e emergjencës.
Aeroporti ka një pistë të dizenjuar për avionë 4E, që janë me trup të gjerë, airbus 330- 340, apo Boeing 777.
Një nga rrugët lidhëse paralele me pistën është me të njëjtën gjatësi si ajo 3.24 kilometra e gjatë dhe do të garantojë kapacitet më të lart të lëvizjes së avionëve.
Ky aeroport është një investim mbi 100 milionë Euro dhe pritet që të hapë 1 mijë vende pune të reja, si dhe të ndikojë në uljen e çmimeve të biletave duke e kthyer Vlorën në portën më të rëndësishme turistike të rajonit.
Tv Klan