Kryeministri Rama kundërshton pretendimet e komentuesve në rrjetin e tij social se me bonusin e pranverës u bleu votat pensionisteve para zgjedhjeve. Ai thotë se votën e tyre e ka si vlerësim të punës se tij, por po përpiqet të kurojë skemën e pensioneve pa krijuar piramida në buxhet.
“Plagën e tmerrshme të trashëgimisë së shkatërrimit total të logjikës së skemës së pensioneve përpara sesa ne të vinim në detyrë po përpiqemi tani ta kurojmë, qoftë me rritjen e sasisë dhe numrit të bonuseve dhe qoftë me reformën e re që po bëjmë, por ama pa krijuar një piramidë tjetër fatale si ato të Sudes dhe Rrapushit dhe bufit të kënetës. A mjafton? Pa diskutim që nuk mjafton, por a është shumë më tepër dje? Të mohosh këtë do të thotë që të mos mendosh me mendt e tua, por të flasësh çfarë të vënë në gojë llumi i kënetës”, tha Edi Rama.
Kryeministri tha se bonuesi i dytë për pensionistët brenda më pak se 6 muajsh është falë të ardhurave nga rritja ekonomike. Ai tha se për njerëzit e punës do të donte që të merrnin edhe më shumë, por kushtet e Shqipërisë janë të tilla.
“Të tjerat ua thonë vetë pensionistët në 11 Maj, siç ua kanë thënë edhe kur merrnin vetëm 1 bonus 3 mijë Lekë në fundvit sepse ata dhe unë, në të paktën një gjë, jemi shumë njësoj, dimë kuptimin e fjalës punë dhe çmojmë vlerën e fjalës Shqipëri”, tha Rama.
Qeveria është angazhuar për rishikimin e skemës së pensioneve ku ekspertët janë fokusuar në përshpejtimin e moshës kur do të barazohen të dyja gjinitë për daljet në pension, si dhe rritjen e përfitimeve për pensionet e ulëta.
Klan News