Pritja që shqiptarët i kanë bërë në 12 Maj të vitit të shkuar, duket se ka mbetur gjatë në memorien e Kryeministrit Edi Rama.
Përmes pamjeve të pritjes së shqiptarëve vitin e shkuar në Athinë, Rama njoftoi se mbrëmjen e së shtunës u nis drejt Greqisë për një tjetër takimi me atdhetarët në Athinë, por që këtë herë në fokus ka ofertën për rikthimin e tyre në Shqipëri nëpërmjet Panairit të Punës.
Edi Rama: Rrugës për Greqi sot. Nesër në Panairin e Punës në Athinë. Dje, shqiptarët e Greqisë shkuan për të gjetur një punë matanë kufirit. Nesër, Shqipëria sipërmarrëse do të shkojë tek ta për t’u treguar punët që mund të gjejnë këtej kufirit. Kjo është hera e parë që Shqipëria e punës troket në derën e shqiptarëve të Greqisë për të ju thënë “ejani, kam punë për ju, me paga të arsyeshme, me taksa shumë më të ulëta dhe me të gjitha aromat e vendit amë që aq shumë mungojnë kur je jashtë. Ejani nesër për të ju njohur më nga afër me mundësitë dhe për të ju informuar për kushtet e kontratave të punës në Shqipëri, pastaj gjykoni vetë me qetësi, merrni kohë si të jetë më mirë për ju.
E teksa rendit rastet kur të rinjtë shqiptarë janë gjykuar vetëm për shtetësinë dhe u janë mohuar të drejtat në shtetin fqinj, Rama thotë se me anëtarësimin në BE, Shqipëria do jetë ylli i ri i Europës.
Edi Rama: Kjo është koha kur për herë të parë mundësia e hyrjes në BE është kaq reale sa dritarja e hapur duket me sy sepse për herë të parë, yjet e fatit tanë dhe të Evropës janë rreshtuar në vijë të drejtë. Shpejtësia me të cilën po ecim me hapjen e kapitujve të negociatave është më e larta në historinë e integrimit. Jo thjesht se ne po bëjmë detyra me sukses, po edhe se BE janë të interesuar të na fusin brenda në shtëpinë e tyre. Ky është shansi dhe ky është momenti ynë historik për t’i dhënë emrit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve atë ngjyrën e artë të yjeve të BE-së duke i dhënë kështu fund njëherë e përgjithmonë poshtërimeve dhe nëpërkëmbjeve të pafundme të gjithë rrugëtimit tonë të mundimshëm në histori. Kjo është hakmarrja më e ëmbël shqiptare dhe bekimi i të gjithë fëmijëve të shqipes. Të gjithë shqiptarëve, atyre të Greqisë dhe të Evropës, ju them, le t’i harrojmë të gjitha historitë dhe ndasitë dhe të kapemi dorë për dore dhe të bëhemi ylli i ri në flamurin e Evropës së Bashkuar duke u bërë më 11 Maj fuqia e papërmbajtshme e ëndrrës evropiane të shqipes dykrenare dhe pastaj të tjera na i lini ne dhe mua.
Sipas kreut të mazhorancës, për herë të parë mundësia e hyrjes në BE është reale dhe fatet e Europës janë rreshtuar në vijë të drejtë.
Tv Klan