Në 11 Maj Edi Rama nuk kërkon thjesht një fitore aritmetike për Partinë Socialiste, por triumf të së majtës në zgjedhje. Socialistëve të Kamzës dhe atyre të njësive 7 dhe 10, Kryeministri u shpjegoi edhe arsyen se përse i duhet një mandat i katërt qeverisës.

“Një fuqi me votën e shqiptarëve që më 11 Maj nuk duhet të mendojnë të parën partinë dhe logon që do zgjedhin, por Shqipërinë në rrugën e negociatave.”

Me simbolin e drejtësisë në dorë përpara të vetëve, poshtë hodhi akuzat e opozitës se pas reformës në drejtësi të bërë në Shqipëri qëndron miku i tij George Soros.

“Thonë që reformën e bëri Soros këtu, por si e bëri? Në çfarë forme, futi Sorosi në burg liderin e opozitës, vdeksha unë, 1 miliarder nga më të mëdhenjtë e botës ia kushtoi jetën kapjes së bufit të kënetës në Shqipëri, kuptoni apo jo?! Të ishte ndonjë sorkadhe apo ndonjë fazan hajde de, se thotë njeriu këta miliarderët kanë edhe këta tekat e veta gjahtar tjetri dhe kjo sorkadhe e bukur e la pa mend dhe i shkoi nga mbrapa. Se solli as Amerika, as Europa as koha, jo e sollëm ne.”


Sali Berisha prej ditësh flet për arrati të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, por Edi Rama këmbënguli në të vërtetën e tij për Engjëll Agaçin.

“Nxjerrin një njoftim, ku do të dijë kjo kënetë për një njeri të sëmurë. A ka nënë, baba, grua, vajzë a djalë…Jo more, u arratis nga drejtësia! I morën laptopin, vajti SPAK-u, BKH…”

Prerazi refuzoi çdo formë debati për çështjen “Agacci”, pavarësisht thirrjeve nga selia blu për një përballje të tillë.

“Si mund të bëj unë debat politik për një njeri të sëmurë që është në spital dhe po rikuperon mushkëritë?!”

Ironinë se kurseu sërish ndaj opozitës kur i’u desh të bëntë aritmetikën e zyrtarëve të tij të korruptuar që janë pas hekurave.

“Luli iku po aritmetikën e la pas. 2 ish-ministra të dënuar janë të mandatit të parë. Ka dhe kryebashkiakë e deputetë, po çfarë do të thotë kjo?! Ne i kemi dhënë drejtësisë pavarësinë dhe i jemi imponuar për një drejtësi të pavarur.”

Gjatë takimit me socialistët e Kamzës, Rama foli edhe për punët e përfunduara të qeverisë së tij nga ulja e çmimit të energjisë elektrike, heqja e taksave për biznesin e vogël, si dhe furnizimi me ujë të pijshëm.

Tv Klan