Godina e ish-Komandës së Gardës së Republikës, do të transformohet në qendrën “Trashëgimia për të gjithë – Garda” falë bashkëpunimit të Bashkisë së Tiranës me Qendrën Shqiptare të Trashëgimisë.
Kryeministri Edi Rama teksa inspektoi godinën nënvizoi se tashmë kjo pikë do të jetë një atraksion dhe një vlerë e shtuar në Tiranë.
“Ky mund të quhet Muzeu “i veshjeve të shtetit”, domethënë nëse shteti imagjinohet si person, muzeu i të gjithë garderobës së shtetit, i të gjithë xhevahireve, i të gjithë“nishaneve”, i të gjithë“kopsave” të shtetit, që do të jetënjë atraksion i jashtëzakonshëm. Do të jetë një muze, i cili besoj unë do të ketë edhe një vlerë të madhe edhe për fëmijët dhe nxënësit, për studentët, për të mësuar se nga vjen shteti shqiptar dhe për të parë se si ka qenë “i veshur” në stinë të ndryshme shteti shqiptar.”, tha Edi Rama.
Ndërkohë, Kryetarja e Deleguar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani tha se mënyra e organizimit do të jetë njësoj si tek Piramida.
“Në organizimin do të jetë njësoj si tek Piramida. Është i njëjti koncept organizimi”, tha Anuela Ristani.
Rijetëzimi i kësaj godine e kthimi në një qendër kulturore do të mundësojë promovimin e vlerave të traditës dhe do të nxisë aktivitete artistike kulturore e edukative në Tiranë.
Klan News