Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të martë se Partia Socialiste do të jetë në pushtet deri në vitin 2030. “Të jeni të qartë! Me ose pa mua”, tha ndër të tjera kreu i qeverisë. Gjithashtu, ai ironizoi programin ekonomik të PD-së.
“Programi ynë është i qartë i hapur, i ditur publikisht. Ne i kemi vendosur shtyllat, i kemi vendosur piketat. Në rastin konkret ne do të bëjmë publike një platformë me një program pune, jo program do ulim sigurimet shoqërore do rrisim pensionet se kjo është, do ulim prodhimin e qumështit, do rrisim prodhimin e djathit. E dini ju si mund të realizohet kjo? Vetëm nëse e dynd atë qumësht që mbetet me niseshte. Ky është programi që në fakt fyejmë fjalën program po ta quajmë program. Por do të jetë një plan pune, një vizion të Shqipërisë 2030 sepse këtë mos e lidhni me mua se nuk është e lidhur me mua, por deri në 2030 Partinë Socialiste do të keni në pushtet që të jeni të qartë, me ose pa mua. Kështu që mos e lidhni me mua”, tha Rama.
Edi Rama tha se së shpejti qeveria do të ndajë me publikun platformën për Shqipërinë e vitit 2030. Ai u shpreh se qytetarët e kanë të thjeshtë për të zgjedhur mes PD-së dhe PS-së, pasi këta të fundit dallojnë për karakterin e lidershipit.
“Qytetarët e kanë shumë të thjeshtë duhet të ballafaqojnë karakteret, pastaj sigurisht dhe programet, pastaj çfarë është bërë dhe kush mund të bëjë më shumë, por kjo fillon nga karakteret. Nga karakteri i lidershpit. Ne e kemi thënë me kohë që do ndajmë një platformë për Shqipërinë e vitit 2030. Ne jemi në kushtet kur nuk mund të flasim me qytetarët thjesht për një program elektoral për të marrë në dorë punët e vendit, por duhet të flasim për një vizion dhe për ecurinë e mëtejshme të punëve të vendit. Vetëm ne jemi në gjendje të bëjmë atë që të gjithë duam. Së shpejti besoj që do të kemi mundësi ta ndajmë këtë vizion me qytetarët”.
Kryeministri deklaroi se qeveria do të vazhdojë me filozofinë se kush fiton më shumë do të paguajë më shumë dhe kush fiton më pak do të paguajë më pak. Kreu i qeverisë tha se për shkak të taksës progresive janë 530 milionë Dollarë që merren nga të pasurit dhe që përdoren për investime në infrastrukturë, shkolla apo rritje pensionesh. Me taksën e shesshtë të propozuar nga PD-ja, sipas Ramës, këro para humbin për shtetin. Rama ironizoi me Partinë Demokratike për akuzat që këta të fundit bëjnë për oligarkët.
“Duke qenë se ne jemi të akuzuar pafundësisht si qeveria dhe forca politike që mbron oligarkët ne nuk do t’i lemë në asnjë mënyrë 530 milionë dollarë, që të jem i saktë, që të mbeten në xhepat e kompanive të mëdha apo oligarkëve siç i quajnë këta që me demek luftojnë oligarkët. Nuk do lemë 530 milionë që janë aty për t’u investuar në infrastrukturë në shkolla, spitale, në rritje pensionesh që të kthehen mbrapsht siç ndodhte përpara se ne të vinim në qeveri dhe të rivendosnim këtë parim. Biznesi i vogël me ne ka 0 taksë. Nuk e ka asnjë vend në rajon, nuk po shkoj në Europë se i kanë të lartë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se premtimet e PD-së janë të parealizueshme se “Ata nuk do të vijnë në qeveri dhe është bisedë që do ta marrë era”.
Rama: Do të rishikojmë progresivitetin për të ardhurat personale
Taksa e sheshtë 9% është alternativa që kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka prezantuar disa ditë më parë në programin e tij ekonomik. Ndërsa u pyet rreth kësaj çështje, kryeministri Edi Rama tha se të diskutosh për propozimet e PD-së është humbje kohe. Ai tha se programi i PD-së “është si karakteri i liderit të saj, i dobët dhe pa shtyllë kurrizore”.
Rama bëri një krahasim mes taksës së sheshtë të propozuar nga demokratët dhe taksës progresive së qeverisë së tij. Ai u shpreh se taksa progresive, ose siç e quan ai taksa e ndershme, ka dhënë rezultare. Ai theksoi se është e nevojshme që të bëhet një rishikim mbi progresivitetin që përdoret mbi të ardhurat personale. Rama u shpreh se kjo do të bëhet pa lidhje me fushatën dhe zgjedhjet.
“Taksa e sheshtë është taksë për të pasurit. Taksa e sheshtë është taksë për t’iu dhënë edhe më shumë atyre që fitojnë më shumë dhe për t’iu marrë shpirtin atyre që fitojnë pak. Sot jemi në kushtet kur taksa jonë, që unë e quaj taksim të ndershëm dhe që konsiderohet si koncept taksë progresive është qartësisht një taksë që ka dhënë rezultate, qoftë në aspektin e moralit shoqëror, qoftë në aspektin e të ardhurave për individët dhe për shtetin. 23% të cilit i referoheni është keqinterpretim sepse 23% nuk fillon nga ajo pikë ku iu referuat 1.6 dhe ky është fakt. Ne jemi të vetëdijshëm për nevojën që të bëjmë një rishikim të progresivitetit për të ardhurat personale me synimin që të jemi më të hapur ndaj nevojës së atyre që janë jo në pjesën e sipërme fare, por në atë pjesën që ju prekët. Kjo do të bëhet bazuar në e para bindjen se është koha për ta bërë dhe ne kemi këtë bindje dhe e dyta do të bëhet pa asnjë lidhje me fushatë elektorale. Nuk duam që fushata dhe zgjedhjet të jenë një arsye për të dobësuar karakterin tonë, për të dobësuar atë që është baza e qeverisjes mbi parimin që kush fiton më shumë duhet të paguajë më shumë dhe kush fiton më pak duhet të paguajnë më pak”.
Rama: Nuk kam përgojuar BE-në, atë që e kam thënë unë tani po thonë të gjithë
Kryeministri Edi Rama u shpreh këtë të martë se nuk ka përgojuar BE-në sa i përket kritikave të tij për procesin e vaksinimit. Përkundrazi, ai u shpreh se ato që ka thënë, sot po i thonë të gjithë. Ai deklaroi se flet për të gjithë shqiptarët. Kreu i qeverisë tha se ky është dallimi “mes vendeve që kanë parti serioze dhe vendeve ku politika është një cirk ku nuk mbarojnë karagjozët”.
“Unë nuk kam përgojuar BE-në, por kam thënë atë që po thonë sot të gjithë. I dëgjoni çfarë po thotë Presidentja e KE-së? Po përgojon Europën ajo? Po pse kur unë që nuk flas për shtëpinë time, por flas për të gjithë. kur flasim këtu për programet politike është normale që unë flas për një palë, ti për një tjetër. Kur flasim për të tjerët, unë flas dhe për ty. Ky është dallimi mes vendeve që kanë parti serioze dhe vendeve ku politika është një cirk ku nuk mbarojnë karagjozët. Këtu bëhet fjalë për njerëzit tanë”.
Rama tha se opozita furnizon me informacione të pavërteta ndërkombëtarët.
“U krijua nga një qasje dritëshkurtër e palogjikshme dhe shiko ku janë rezultatet. Nuk ka nevojë ta mbrojë asnjë koordinator i PE-së BE-në nga unë, nuk është e nevojshme. E mbroj vetë BE-në më mirë se çdo koordinator i BE-së, le të jetë gjerman, holandez, spanjoll, ç’të dojë. Këta janë mësuar të flasin kështu sepse për fat të keq furnizohen nga Tirana, ushqehen nga Tirana, mbështeten nga Tirana, prandaj janë mësuar të flasin kështu. Nuk kanë minimumin etik kur hapin gojën. Me kë flet ai, me një shokun e vet? Ku është në kafene? Në Babrru apo Bruksel që tregon kushtet dhe parakushtet kur ne flasim për shëndetin dhe vaksinën. Këto dokrra janë produkt Made in Albania, jo Made in Germania”.
Rama flet për herë të parë për dëbimin e diplomatit rus
Kryeministri Edi Rama nuk komentoi gjatë rastin e dëbimit të diplomatit rus disa ditë më parë për shkak se kishte shkelur rregullat e pandemisë.
Kreu i qeverisë tha këtë të martë se arsyet e dëbimit janë bërë publike, ndërsa nuk arsye për të pasur një përshkallëzim konfliktesh mes Shqipërisë dhe Rusisë.
“Nuk kam asnjë koment, nuk shoh asnjë arsye pse të krijohen tensione mes dy vendeve. Arsyet janë bërë publike, nuk ka asgjë këtu për t’u alarmuar për ndonjë përshkallëzim konfliktesh mes dy vendeve”, nënvizoi Rama.
Rama tregon “borxhin” që i ka Durrësit
Një ditë më parë, Kryeministri Edi Rama tha se nuk e ka vendosur se ku do të kandidojë në zgjedhjet e 25 Prillit pasi Vlorën nuk e lë, ndërsa Durrësit i ka një borxh.
Kreu i qeverisë u ndal dhe foli ditën e sotme se për çfarë “borxhi” bëhet fjalë. Rama u shpreh se kjo gjë lidhet me çështje të tij personale me këtë qark. Ai tha se qyteti bregdetar ka një potencial të jashtëzakonshëm për t’u shfrytëzuar.
“Sa i përket çështjes së borxhit, kjo lidhet me origjinën time, kujtimet e mia, mua personalisht me Durrësin. Natyrisht lidhet dhe me faktin që Durrësi ka një potencial të jashtëzakonshëm ende për t’u shfrytëzuar dhe kushtet kur Vlora ka bërë shumë përpara, Durrësi duket padrejtësisht sikur është shumë më mbrapa, por nuk është. Dhe ky është borxhi, në sensin personal dhe interesit tonë të përbashkët. Durrësi ka potencialin që të jetë një motor i patjetërsueshëm i Republikës së Shqipërisë”, tha Rama.
Rama tha se Porti i Durrësit mund të kthehet në një nga më të rëndësishmit në rajon.
“Vetëm për ndërtimin do të investohen 1.2 mld Dollarë”. Transformimi i Durrësit sipas Ramës do të jetë gjenerator punësimi.
Rama: Çmimet në aeroportin e Rinasit do të ulen me 25%
Kryeministri Edi Rama ka folur gjatë konferencës së përjavshme me fokus ekonominë edhe për koncensionarin e ri të aeroportin e ri të Rinasit. Ai u shpreh se me koncensionarin shqiptar, aeroporti do të ketë çmime normale.
Rama shtoi se qeveria nuk ka pasur asgjë në dorë, por kompania kineze që e zotëronte. Kreu i qeverisë shtoi se do të ndërtohet terminali i ri, ndërkohë që do të zgjatet pista. Sipas Ramës, çmimet në aeroport do të ulen me 25%.
“Jam shumë i lumtur që aeroporti do të ketë më në fund çmime normale si në gjithë dynjallëkun edhe për shqiptarët sepse ishte aeroporti më i shtrenjtë i Europës dhe ju e dini mirë këtë gjë. Kam marrë mallkime, sharje, ankesa, kam marrë pa fund sepse njerëzit me të drejtë ankoheshin se çmimet ishin më të larta se kudo dhe këtë nuk e kuptonin që nuk e kisha në dorë unë, nuk e kishte në dorë qeveria, e kishte në dorë kinezi me kontratën e bërë shumë kohë përpara dhe s’kishim asgjë për të bërë. Jam shumë i lumtur që aeroporti më në fund do të kthehet në kantier investimesh të reja që nuk janë bërë më përpara nga kinezët. Terminali i ri që do të fillojë menjëherë. Më në fund do të zgjatet pista dhe do të hyjë në parametrat e një piste që do të funksionojë edhe për fluturime për avionët e mëdhenj që bëjnë fluturime transoqeanike. E dini shumë mirë se pavarësisht se na pengoi pandemia, ne nuk kemi hequr dorë nga çuarja e “Fan Nolit” në Amerikë dhe anasjelltas. Padiskutim që efektet do të jenë zinxhirë, është aeroporti me çmimin më katastrofik të jet fuel-it në Europë po se po njëherë. Do të ulen të gjitha dhe faktikisht parashikueshmëria mbi bazën e marrëveshjes së re është që të gjithë, edhe ju, edhe vetë ata që e kundërshtojnë kot këtë gjë, do të kenë udhëtime 25% më të lira. Janë kthimi në normë dhe konkurrueshmëria e aeroportit”.
Kreu i qeverisë u shpreh se kjo nuk bëhet për zgjedhje, por sepse nuk ka kohë për të humbur. Rama shtoi se koncensionari shqiptar nuk e ka marrë nga shteti aeroportin, por e ka blerë nga ish-pronarët kinezë.
“Nuk punojmë për zgjedhjet, se dëgjoj shumë, aq tani që vijnë zgjedhjet. Jo ne kemi punuar çdo ditë maksimalisht dhe nuk ka kohë për të humbur. Ne duam që investimet në aeroport të fillojnë menjëherë dhe investimet do të fillojnë menjëherë. Këtu do jemi dhe do e shikoni. Kur e kishin kinezët nuk fliste njeri. Nuk kam dëgjuar këta të dilnin dhe të thoshin do ta anulojmë kontratën sepse ishte problematike. Sapo e merr një shqiptar që nuk e mori nga qeveria e Shqipërisë, që të jemi të qartë, por ua mori kinezëve dhe u dha paratë. Menjëherë fillojnë xhagajdurët dhe flasin. Kjo është kulmi. Kontrata është krejt e qartë. Krejt transparente. Duhet lexuar ashtu si është”.
Lista e kandidatëve, Rama: Nuk kam nevojë të ma kujtojë detyrën time asnjë ambasador
Ambasadorët e huaj kanë bërë thirrje shpesh sidomos tashmë që jemi në prag të zgjedhjeve që liderët e partive politike të zgjedhin kandidatë të pastër pasi janë përgjegjës për këtë.
Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të martë se detyrën e tij e di shumë mirë dhe nuk ka nevojë për ambasadorët që t’ia kujtojnë.
“Unë këtë ambasadorin britanik nuk e kuptoj fare se pse është kaq i përfshirë në çështjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Kam shumë respekt për të dhe realisht është një person që meriton respekt, por nuk e kuptoj se pse është kaq i përfshirë në këto bisedat e brendshme të Shqipërisë kur vjen puna te zgjedhjet. Po ja them publikisht këtë se ia kam thënë edhe personalisht. Ndërkohë që për sa i përket pyetjes, unë nuk kam nevojë që të ma thotë ambasadorja amerikane detyrën time. Kam shumë respekt për ambasadoren amerikane. Natyrisht ajo është në të drejtën e vet të thotë atë që mendon, por kjo përgjigje nuk është për të, por për ju. Mos ma nxirrni përpara ambasadoren amerikane ka thënë kështu, ka thënë ashtu. Nuk kam nevojë të ma kujtojë detyrën time asnjë ambasador në Republikën e Shqipërisë. Të gjithë janë të respektuar, nuk ka nevojë të ma kujtojë asnjë koordinatorë në PE, nuk ka nevojë të ma kujtojë askush. E di mirë detyrën time karshi ligjit dhe popullit shqiptar”.
Sa i përket kandidatëve, Rama tha se gjithsecili ka përgjegjësi individuale para drejtësisë dhe se partitë politike nuk mund të bëjnë asgjë më shumë se të kontrollojnë dokumentet që ata dorëzojnë.
“Ligji është i qartë, kush ka bërë në të shkuarën 1,2,3 5, 7 vepra penale për të cilat është dënuar duhet të mos kandidojë për funksion politik. Ligji bazohet mbi vetëdeklarimin e individëve dhe kontrollin e vërtetësisë së vetëdeklarimit. Nuk kam shpresë që ju do ta mësoni, se doni të vazhdoni të bëni lajme me këtë histori. Po ua përsëris prapë se nuk e kuptoj dot akoma në vitin 2020, pra 30 vjet pasi kemi zgjedhur një sistem të përgjegjësisë individuale para ligjit t’i kërkohet partive politike dhe kryetarëve të mbajnë përgjegjësi pse njëri apo tjetri se ka gënjyer. Nuk e kuptoj dot këtë, ça duhet të bëjnë partitë politike në Shqipëri. Si mundet një parti politike të penetrojë nëpër zgafellet e dokumenteve që bota i ka të mbyllura se nuk ka në Europë një ligj si ky”, tha Rama./tvklan.al