Për herë të parë, ka një reagim të kryeministrit Edi Rama sa i takon aludimeve që kanë qarkulluar mbi Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave Ëngjëll Agaçi. Teksa opozita dhe vetë kryedemokrati Sali Berisha hodhi pretendimet se ai është arratisur në Itali, Rama thotë se Agaçi ndodhet në spital nën mbikëqyrjen e mjekëve.
Sipas kreut të qeverisë, njeriu që po lufton me jetën në një spital në Itali, “u bë mish për qofte për kënetën politike e mediatike”. Rama mohoi edhe akuzat për “kontroll në Kryeministri” apo “sekuestrimin e laptopit të Agaçit”.
“Përshëndetje nga Kryeministria, kam nevojë të ndaj diçka revoltuese me ju. Këneta është përballë një thatësie të madhe, kjo është shumë e qartë. Maji do të jetë përvëlues për të dhe bufi i kënetës politike e mediatike e di këtë më mirë se sa kushdo tjetër. Mobilizimi i krijesave të saj që nga njerëzillëku dhe qytetaria janë njësoj si bretkosa, zhapikë, salamandra, mushkonja, merimanga uji, kërminj kënete, nuk ka për të ndryshuar asgjë në fatin e saj të shkruar. Por ama llumi helmues i kënetës, i asaj kënete që ka mbetur nga ajo që lindi partia europiane e shqiptarëve do të mbiprodhohet deri në ditën çliruese të 11 Majit dhe zhaurima histerike i atij kolektivi speciesh të ulëta, do të shqetësojë dynjanë me akuzat, shpifjet e sajesat që do shkojnë në një nivel të ri.
Tani, prej ditësh këneta ka marrë peng Ëngjëll Agaçin, ka marrë peng gruan, vajzën e tij, nënën e tij të mrekullueshme, familjen, të afërmit, miqtë e tij, me fermant të bufit që e shpalli Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë një person në arrati nga drejtësia.
Dhe me kënetën mediatike që hodhën helmin e arratisjes së tij, e dyndjes së hetuesve dhe të SPAK-ut në kryeministri, e marrjes së laptopit në Kryeministri dhe syrit që t’ju dalë bashkë me qimen e bufit. Ëngjëll Agaçi studio në Itali, drejtësi. Punoi për shumë vite në zyrën e Avokatisë në Romë, si një shqiptar dinjitoz plotësisht i integruar. U kthye në Shqipëri me ftesën time për të shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave dhe i përket padyshim ajkës së juristëve shqiptarë.
Për atë që ai përfaqëson është vlerësuar edhe me medalje nderi nga Presidenti i Republikës Italiane. Para disa kohësh u nis në Itali për arsye shëndetësore, kaloi një kohë mes jetës dhe vdekjes. Si pasojë e një bllokimi të arterieve koronare, u operua në zemër dhe pas operacionit pati një ndalesë dramatike pulmonare, dalje të mushkërive nga funksioni.
Gjë që imponoi aparaturat e frymëmarrjes së drejtuar. Pas një periudhe shumë të vështirë në reanimacion, ku disa ditë mjekët italianë rezervoheshin të jepnin çfarëdolloj sigurie se do të dilte nga situata e rëndë, ai vazhdon të jetë nën mbikëqyrjen e tyre. Për të rehabilituar mushkëritë e lënduara rëndë! Është e hatashme se megjithëse Kryeministria ka bërë njoftim publik, ca qime e ca jargë të bufit të folesë së tij, i sëmuri që lufton për jetën andej është bërë mish për qofte i klubeve të natës, ekran më ekran këtu, vetëm e vetëm se u fut në gojën e mendertë të bufit të kënetës, një katran me bojë i mirënjohur”, deklaroi kreu i qeverisë.
/tvklan.al