Akt censure e cilëson kryetari i PD, Sali Berisha vendimin e qeverisë për të mbyllur për 1 vit platformën Tik-Tok. Për këtë arsye, kryedemorkati njoftoi protestë kombëtare më 15 Mars para Kryeministrisë.

“Ftoj të gjithë qytetarët të nisim betejën tonë për çlirimin e Tiktokut dhe përmbysjen e narkodiktatorit me datën 15 Mars protestë e përgjithshme kombëtare para Kryeministrisë”, tha Sali Berisha.

Nuk dha një përgjigje nëse PD do i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për vendimin e qeverisë, por tha se këtë çështje e zgjidhin vetëm qytetarët.

“Këtë e zgjidh rinia, do e zgjidhin përdoruesit e Tiktokut”, tha kryedemokrati.  

Ndonëse pati një reagim të menjëhershëm për mbylljen e Tk-Tok, si rrallë herë Berisha, nuk komentoi ironitë e Kryeministrit Edi Rama për koalicionin “PD Aleanca për Shqipërinë Madheshtore”.

“Nuk ia vlen fare ti komentoj. Le t’ia lamë çdo ditë të flasë zhaba, hardhuca, zhapik, bretkosa, etj, lere në botën e tij mos ta nxjerrim nga bota e tij tani”, tha Berisha.

Berisha pati një koment për video mesazhin e Kryeministrit Rama me Ëngjëll Agaçin.

“Në rast se ai është operuar, shërim të plotë. Nëse ai për llogari të vetes dhe të Edi Ramës ka bërë lëmala demazhine, atëherë ai është i pashpresë”, tha Sali Berisha.

Krahas takimeve në terren me qytetarët, PD vijon punën me aleatët dhe për hartimin e listës së kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 11 Majit.

Burime për Klan News konfirmojnë se PL ka kërkuar që Ilir Meta të jetë kandidat në listën e mbyllur në qarkun e Fierit, Edomod Haxhinasto në Elbasan, ndërsa Tedi Blushi dhe Erisa Xhixho të garojnë në listën e mbyllur të qarkut të Tiranës.

Klan News