Shtatë ministra të qeverisë Rama, që janë në detyrë prej 5 vitesh dhe zv/Kryeministrja do të lënë postet e tyre, pas një vendimi të Kryeministrit të bërë publik në Asamblenë e Partisë Socialiste.
Lindita Nikolla, ministrja e Arsimit ishte e para e listës së të larguarve. Ajo do të zëvendësohet nga zv/ministrja e ardhur nga Kosova, Besa Shahini.
Ministri i Financave Arben Ahmetaj do t’ia lërë detyrën nje emri të panjohur deri më tani, drejtores së Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Anila Denaj.
Damian Gjiknuri, për të cilin Rama nuk i kurseu vlerësimet në dikasterin më të rëndësishëm dhe më të përfolur, atë të Energjetikës e Infrastrukturës, do të zëvendësohet nga ish-shefja e kabinetit të Ramës në Bashkinë e Tiranës dhe drejtorja aktuale e Alb Controllit, Belinda Balluku.
Në Ministrinë e Jashtme, Ditmir Bushati do t’ia lërë detyrën zv/ministrit me origjine nga Kosova, Gent Caka.
Niko Peleshi tek Bujqësia do të zëvendësohet nga deputeti Bledi Çuçi.
Një tjetër deputet që hyn në qeveri është Eduard Shalsi, që do të zëvendësojë ministren për Sipërmarrjen, Sonila Qato.
Ministrja e Kulturës, në vend të Mirela Kumbaros do të jetë Elva Margariti, dhe kjo një figurë aspak e njohur publike.
Kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe pas më shumë se 20 vjetësh në Partinë Socialiste, do të marrë një post në qeveri, ai do të jetë në krah të Ramës si zv/Kryeministër në vend të Senida Mesit.
Po ashtu Rama rikthen postin e ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin, që do të jetë Elisa Spiropali.
Blendi Klosi dhe Ogerta Manastirliu, edhe pse do të rrinë në qeveri, janë ministrat që do të jenë në provë këto 6 muaj.
U duk qartë se ministrat u informuan në mbledhjen e Asamblesë për vendimin që Kryeministri kishte marrë për ta. Kjo lexohet qartë tek fytyrat e Lindita Nikollës dhe Mirela Kumbaros kur ju lexua emri, më ftohtë u duk se e priti ministri i larguar Ahmetaj.
Arsyeja që Rama jep për këto ndryshime, thotë se nuk janë dështimet. Fatin e ministrave do ta kenë dhe drejtuesi i FRESSH dhe ai i Gruas, për të cilat lajmëroi se do të shkrihen. Riformatimi do të shtrihet në çdo strukturë. Ultimatum ju dha anëtarëve të Asamblesë t’i japin fund ndërhyrjeve për punësime në administratë.
Ai është i bindur se fitorja e mandatit të tretë do të jetë e sigurtë nëse lexohen si duhet mesazhet e studentëve dhe të gjithë atyre që protestojnë kundër qeverisë.
Mësohet se Kryeministri nuk do të nxitohet për t’i dërguar emrat e të larguarve dhe të propozuarve menjëherë për dekretim te Presidenti. Seanca e parë plenare është ajo e 21 Janarit ndaj dhe ai do të presë fillimvitin e 2019 për t’ju drejtuar kreut të shtetit për të respektuar afatet kushtetuese të Presidentit por dhe Parlamentit që duhet të votojë brenda 10 ditëve dekretet e kreut të shtetit.
Tv Klan