Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një takim me degën e Durrësit këtë të enjte. Ai tha para demokratëve të qytetit bregdetar se Partia Socialiste është në kaos dhe në panik.

“Problemi është që janë në një kaos, janë në një panik të tmerrshëm. A mund të imagjinoni ju kryeministër, si ka mundësi që ka qeverisur 13 vjet dhe nuk është i zoti të mbrojë një vepër të tij. Unë nuk them se janë zero se tuneli i Llogarasë është realitet dhe pllakat e shesheve janë realitet, por problemi është që kudo që t’i prekësh del një vjedhje”, tha Berisha.

Kryedemokrati ironizoi edhe daljet e kryeministrit Edi Rama gjatë mëngjeseve në rubrikën “Sy m’sy”.  

“Ndaj dhe ai nuk ka sesi të flasë për sukseset, por flet për zhaba, për hardhucë, për zhapikë, e ka shndërruar veten në një banor të parkut zoologjik që çdo mëngjes si zog qyqe del dhe numëron marrëzira, tregon se është në panik, tregon se është i humbur”, tha Berisha.

E kundërta ndodh me demokratët sipas Berishës, “pasi kanë një program madhështor për zgjedhjet e 11 Majit”./tvklan.al